Komunikim publik për masat parandaluese ndaj përhapjes e Covid-19

Komunikim publik i Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për masat parandaluese ndaj përhapjes e Covid-19: 

Mirëmbrëma!

Jemi bërë si studio duke komunikuar më shpesh se zakonisht, por në të njëjtën kohë natyra e punës në këto ditë është e tillë. E gjithë puna është e përqendruar në zyrë. Asnjë hap jashtë zyre dhe nga ana tjetër, kjo punë ka nevojë për komunikim, aq më tepër në kushtet kur jemi duke luftuar paralelisht një epidemi dhe një infodemi. Nga të 4 anët ju dëgjoni çfarë nuk dëgjoni, për të mos thënë që përveç lajmeve të pasakta, informacioneve të paverifikuara, komenteve të pacertifikuara janë dhe ato të qëllimta, siç ndodhi dje, siç ndodhi sot, nga ana e atyre që kanë një përgjegjësi të madhe dhe në vend se ta mbajnë atë përgjegjësi, siç bëhet në të gjithë botën kur vihet në qendër në mënyrë specifike dhe për shkaqe emergjente njeriu dhe halli më i madh, fatkeqësia natyrore, apo një përballje me një armik të padukshëm, siç është një virus i rrezikshëm, nuk ka politikë, nuk ka propagandë, nuk ka avaz si në ditët e zakonshme.

Nga ana tjetër është e domosdoshme kur propaganda negative kërcënon ekuilibrin psikologjik dhe është kaq e nevojshme sa është ilaçi domosdoshëm në çdo moment në momente të tilla, nuk ke si të mos reagosh. Je i detyruar edhe pse ndihesh në pozitë tejet të vështirë. Duke qenë se edhe natyra e punës në këto kushte ka ndryshuar dhe faktikisht këtu, unë dhe ata njerëz që punojnë në këtë godinë jemi të rrethuar nga kompjuter dhe informacioneve që vijnë nga të gjitha anët, sa dëgjova për dëshminë e mjekut në fjalë u interesova menjëherë, sepse ishte një dëshmi e çuditshme dhe ajo që mora ishte fotografia e mjekut në fjalë, e postuar në faqen e tij nga vetë ai, me një tekst dinjitoz, që flet për sakrifica të vërteta për të shpëtuar jetët e pacientëve dhe me veshje speciale, sepse e vërteta është që nuk ka asnjë mungesë, zero, për veshje speciale të personelit që duhet të trajtojë këto raste. Po në të njëjtin informacion mora dhe mjekun në jetën e tij private. Mjeku në jetën e tij private është i lirë, jo të thotë “Rama ik!”, por të hidhet përpjetë dhe të kërkojë që edhe unë të hidhem përpjetë. Ama, nëse mjeku si qytetar ka të drejtat e veta dhe si mjek bën detyrën e vet, gjë të cilën nuk e vë askush në dyshim, edhe pse është një shkelje etike që t’i shërbejë në këtë moment një propagande të caktuar, si mundet një parti politike që pretendon të qeverisë vendin të angazhohet në këtë dezinformim skandaloz.

Megjithatë unë nuk besoj se ka të paqarta lidhur me si mundet, pse mundet, por është hera e dytë në pak kohë që përsëritet, me tërmetin dje dhe me këtë emergjencë që ka sfiduar botën, jo thjesht Shqipërinë sot, gjëra që nuk ndodhin në asnjë vend të botës.

Sa i përket disa gjërave që u thanë është shumë e rëndësishme të theksohet edhe njëherë nga ana jonë dhe faktet e provojnë dita-ditës, se ne nuk kemi pritur të na e kërkojë dikush tjetër, qoftë kjo edhe opozita se në fund të fundit atë detyrë ka, që ne të bëjmë një plan, që ne të përgatitemi, që ne të jemi gati, por e kemi bërë planin para se kjo fazë e parë e luftës me koronën të niste dhe i kemi të gjitha pajisjet e nevojshme për të përballuar edhe skenarin më negativ që është ndërtuar me bazën e projeksioneve mbi algoritmin nga OBSH dhe mbi modelet që update në çdo sekondë nga të gjitha vendet dhe praktikat më të mira. Ky është fakti.

Për të ardhur te pyetjet dhe te shqetësimet tuaja. Meri thotë që çdo infermier dhe çdo doktor duhet të vijë të na vizitojë në shtëpi, ndërkohë që krejt gabimisht dhe krejt në kundërshtim me të gjitha rregullat e këtij procesi lufte, u tha nga parafolësi i parapërmendur Lulzim Basha se njerëzit shkojnë në spital me temperaturë dhe aty të gjithë duhet të jenë me pajisje. Jo dhe jo. Kush ka temperaturë nuk duhet të niset asgjëkundi. Duhet të marrë numrin 127! Nuk ka gjë më të gabuar dhe më nxitëse për konfuzion sesa të thuash pajisni të gjitha qendrat shëndetësore me strukturën e pritjes për njerëzit që janë me temperaturë që të mos infektohen infermierët. Është një skandal. Ajo që të gjithë duhet të dëgjojnë është se, nëse kanë shenja të temperaturës që është shenja e parë, duhet të telefonojnë 127 dhe duhet të dëgjojnë këshillën dhe pastaj të presin këshillën tjetër. Kështu zhvillohet kudo në botë. Kështu zhvillohet edhe këtu, sipas praktikave më të mira.

Një pyetje tjetër që vjen paralelisht me këtë, “U harrua tërmeti”, thotë Besmiri. Jo, fare. Jo vetëm tërmeti nuk është harruar, por është shpallur gara ndërkombëtare për shtëpitë. Është tani kërkesa botërisht e publikuar për të gjitha kompanitë ndërkombëtare që kanë eksperiencën dhe ekspertizën për të realizuar modelet dhe nga ana tjetër jemi në prag të shpalljes për shkollat. Pra, nuk është harruar tërmeti. Por e rëndësishme është të mos harrohen këto këshilla që japim sot dhe të respektohen.

Do prezantojmë dy kurba shumë interesante për të kuptuar se çfarë duhet të presin dhe për të kuptuar se kush janë arsyet që masat e forta janë të këshillueshme, ashtu sikundër edhe diskutojmë që këto masa merren shkallë-shkallë, jo të gjitha përnjëherë dhe merren në momentin kur jemi përpara sfidës së vendosjes së virusit në vendin tonë, nuk merren përpara sesa kjo gjë të ndodhë dhe këtu ka debate të ndryshme mbi ngadalësimin ose përshpejtësimin e masave.

Pse ne kemi vendosur skenarin më agresiv të realizmit të masave?

Kjo është një kurbë që vjen si rezultat i analizës së bërë nga shkencëtarët dhe pastaj shpërndarë nga shumē burime të mirëinformuara dhe të certifikuara që tregon se çfarë ndodh në varësi nga masat parandaluese.

Në kurbën e verdhë kemi zhvillimin e pandemisë, masat që i shërbejnë jo ndalimit të infeksionit, është shumë e rëndësishme kjo, ne nuk mund ta ndalojmë infeksionin, asnjë vend nuk mund ta ndalojë shtrirjen dhe infektimin. Sot, kancelarja gjermane tha se 60% e gjermanëve do marrin këtë virus. Këtu nuk është çështja se sa do ta marrin, çështja është sa ne do ta ngadalësojmë procesin e shpërndarjes në mënyrë që të kemi kapacitet për të adresuar ato pasoja negative, sepse kemi thënë dhe e përsëris, ky është një virus që në 80% të popullatës së prekur do kalojë pa e marrë vesh që e kanë dhe këshilla e parë themelore që ne kemi marrë dhe që është kryefjala e gjithë arsyetimit që bëjmë, është që nuk analizohen të gjthë. Nuk mund të thuash unë isha në Itali dhe po vij të bëj një analizë se kam frikë se e kam. Jo, nuk analizohen të gjithë. Analizohen vetëm ata të cilëve iu shfaqet një simptomë.

Kurba e verdhë është kurba e nxjerrë nga ato ku masat nuk janë marrë me shpejtësi nga momenti i shpërthimit. Gjithmonë nga momenti i shpërthimit. Nuk mund të fillosh t’i marrësh masat në Shqipëri kur virusi shfaqet në Kinë. Koha e ardhjes është llogaritur 45 ditë, por fillojnë merren në kohën e shpërthimit.

Kurba tjetër lejla është kurba shtrirëse e infeksionit kur merren masat.

Akti Normativ është gati dhe në orët në vijim do të formalizohet, për të adresuar masat, por dhe për të adresuar sanksionet, sepse është një ekuilibër që duhet mbajtur dhe shpresoj ta kemi mbajtur mirë mes dhënies së vazhdueshme të këshillave, por është dhe domosdoshmëria për të vendosur sanksionet, të cilat në shumë vende janë tejet të rënda. Ne, besoj që kemi dhe këtu një ekuilibër, edhe pse janë sanksione jo të zakonshme sepse është një kohë e jashtëzakonshme. Pra, faktikisht ne kemi vendosur që të miratojmë ndalimin e aktivitetit të të gjitha lokaleve, të të gjitha bareve, restoranteve e ta shoqërojmë këtë me një  sanksion shumë të fortë për ata që do të hapin aktivitetin, por gjëja e mirë dhe për t’u përshëndetur, për t’u falënderuar është se shumëkush ka filluar ta marrë këtë masë menjëherë sapo ne kemi paralajmëruar se do ndodhë gjatë ditës e në mënyrë vullnetare ka mbyllur aktivitetin sepse ka kuptuar që mbron veten, mbron familjen, mbron punonjësit e tij dhe mbron dhe të tjerët.

Ashtu sikundër jemi duke vlerësuar, për nesër ose në ditët në vijim, edhe ndalimin e transportit urban në Tiranë dhe në Durrës. Pse në Tiranë dhe në Durrës janë këto masa më të forta e pse ne themi fillimisht në Tiranë e në Durrës, sepse nuk jemi ne të parët fatmirësisht që kemi sfidën të përballemi me epideminë. Kemi eksperienca të vendeve të tjera. Kemi modelet statistikore të ndërtuara mbi këtë eksperiencë dhe kemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë hap pas hapi, gjithmonë duke pasur parasysh atë që thamë në fillim.

Ne nuk e ndalim, asnjë shtet nuk e ndal përhapjen e virusit, por ka shumë rëndësi se si ndërton gjithë sistemin mbrojtës dhe këto masa janë sistemi ynë mbrojtës që bëjnë që të kemi të gjithë kapacitetet për të adresuar rastet kritike në mënyrë graduale. Ajo që u ndodhi vendeve që nuk i morën këto masa në momentin e shpërthimit, se më pyet  këtu dikush e më thotë pse i morët kur shpërtheu, pse nuk i morët më përpara. Nuk merren përpara sepse nuk kanë asnjë vlerë, përkundrazi, sjellin një dëm të jashtëzakonshëm për jetën e përbashkët dhe për ekonominë. Merren në momentin e shpërthimit dhe marrja e masave në momentin e shpërthimit dhe përshkallëzimi i tyre, janë determinante për mënyrën se si ne do ta përballim epideminë që sipas projeksioneve dhe skenarëve të bërë për nivelin e numrit të atyre që janë të infektuar, do të rritet ditë pas dite, nuk  ka asnjë çudi, nuk duhet të prisni e nuk do të presim asgjë tjetër, por e rëndësishme është që rritja të jetë brenda një kurbe që të jetë shumë më pranë asaj lejlasë se sa asaj të verdhës. E nëse rritja është pranë kurbës lejla që prezantuam atëherë jemi në kushtet kur mund të themi që e kemi nën kontroll situatën.

Ka një pyetje me të drejte që është bërë në vijimësi për i përket fasonëve, call center, pra, hapësirave ku ka një përqendrim të madh punonjësish. Është shumë e rëndësishme  të kuptohet që ka një dallim shumë të madh mes grumbullimeve ku nuk ka një kontroll të mundshëm nga i zoti i punës, themi dhe ku nuk mund të kërkosh që, nëse njerëzit shkojnë në një hapësirë tregtare, të jetë përgjegjësi e administratorit të asaj hapësire kjo rregullore për  marrjen e masave, apo nuk mund të kërkosh që në çdo restorant, në çdo lokal, në çdo palestër njerëzit të kenë të gjitha kushtet e të gjitha rregullat të zbatuara, por siç e ka bërë gjithë bota, ne nuk do bëjmë këtu asnjë shpikje. Prandaj ju lutem, unë e kuptoj shumë mirë, të gjithë e kuptojmë shumë mirë që duke parë televizor, duke parë çfarë ndodh, duke patur shqetësim për të afërmit nxitojmë të japim mend dhe të shkojmë përtej atij që është kufiri i paracaktuar i planit strategjik. Kjo më ndodh dhe mua, por ajo që unë bëj është që i referohem gjithmonë Komitetit Teknik të Ekspertëve, i referohem gjithmonë mendimit të autorizuar. Nuk mundet të bëjmë aventura e as të udhëhiqemi nga paniku, nga pasiguria, apo nga ideja që po i mbyllëm të gjitha menjëherë, këtu do bëjmë ndonjë çudi, se duhet të kemi parasysh që nuk ka ardhur fundi i botës, nuk jemi në luftën finale, vendimtare mbi dhe, o ne, o ekzistenca jonë, o mbijetesa e njerëzimit mbi glob, korona. Jo, nuk jemi në këtë pikë e duhet të mendojmë që ka dhe një ditë tjetër që vazhdon dhe ka dhe një jetë më mbrapa sepse kjo është një situatë që do të zgjasë, por nuk do të zgjasë pafundësisht. Pse e them këtë? E them sepse për sa i përket zinxhirit të prodhimit që është një zinxhir kritik për të sotmen e të nesërmen. Askush nuk këshillon masa drastike aq më tepër në kushtet kur ne jemi në një kurbë që është kurba e natyrshme e rritjes dhe ajo që këshillohet, ajo që kërkohet dhe ajo që ne do të bëjmë çmos ta imponojmë është krijimi i distancave të sigurisë aty ku punohet dhe krijimi kushteve të mbrojtjes, kushteve të thjeshta të mbrojtjes që të mbrojnë faktikisht se nuk është problemi që ti po shkon në një vend ku ka shumë njerëz. Problemi është që në atë vend ku ka shumë njerëz, të gjithë duhet të jenë të pajisur me masa mbrojtëse. Duhet të jenë të pajisur me elementë mbrojtës dhe në vendin e punës, kjo është e mundur të bëhet. Këtë kemi kërkuar. Do të kemi edhe sanksione për këtë, shumë të qarta, janë të vendosura ndërkohë për të gjithë ata që nuk i respektojnë. Pra, u takon kompanive, u takon sipërmarrjeve prodhuese, sipërmarrjeve që janë pjesë e zinxhirit ekonomik të vendit që të marrin të gjitha masat e të bëjnë shkurtimet e nevojshme në kuptimin e uljes së numrit, vendosjen e distancave të sigurta, vendosjen e të gjithë atyre elementëve që ndihmojnë realisht për përballimin e situatës, që nga maskat, kur është e nevojshme dorezat plastike, tek detergjentet e nevojshme pranë tavolinës së punës për të bërë desinfektimin e duarve, gjë që e këshillon praktika më e mirë ndërkombëtare. Kjo është A-ja. Tjetra është që është absolutisht e qartë dhe e domosdoshme të bëjmë dallimin. Çfarë  ndodh në një autobuz dhe çfarë ndodh në një vend pune që ka një të zot të punës dhe besoj që të gjithë të zotët e punës e kuptojnë që këtu nuk bëhet fjalë për të mbrojtur të tjerët, këtu bëhet fjalë për të mbrojtur veten, për të mbrojtur familjen, ndodh ajo që është një kontekst komplet tjetër i disiplinës në raport me rregullat. Nëse të gjithë do të respektonin rregullat e nëse të gjithë do të ishin të gatshëm të viheshin në dispozicion të këtij sistemi mbrojtës gjë që nuk ka ndodhur as në Kinë, përveç se duke ushtruar forcë dhe një forcë ekstreme që rezultoi të ishte gjëja e duhur pasi epidemia iku në atë kurbën e verdhë, atëherë nuk ka pse ne të shkojmë me hamendjen tonë e të vrapojmë përpara. Një pyetje tjetër që bëhet në mënyrë të vazhdueshme është pyetja lidhur me vetë punonjësit e shëndetësisë. Ogerta e tha dhe unë dua ta përsëris. Është shumë e rëndësishme që edhe punonjësit e shëndetësisë të jenë të gjithë të uniformizuar në raport me masat  që duhet të marrin, por ama është po kaq e sigurt që në frontin e parë, ne kemi një sistem që është njësoj si të gjitha vendet dhe më vjen shumë mirë që shumë bashkëatdhetarë tanët nga Italia që e kanë përjetuar atje zhvillimin e situatës thonë fjalët e mira e të merituara besoj për mënyrë se si ne po e administrojmë këtë situatë. Ashtu sikundër më vjen shumë mirë që dhe në televizionet italian, nga ekspertët Shqipëria përmendet si një rast për t’u vlerësuar mes disa vendesh që kanë patur një strategji dhe i kanë marrë masat në kohën e duhur dhe po i përshkallëzojnë në mënyrën e duhur. Kreditë e biznesit dhe njerëzve janë diçka që po diskutohet, por edhe diçka tjetër, shumë e rëndësishme.Është e pamundur, është nuk e di, është sa qesharake, aq e dhimbshme, aq e turpshme, aq skandaloze, por dhe kriminale në këto situata që të dalë një palë tjetër e të shfaqet në këtë mjedis ku ne duhet të bërë çmos për t’i thirrur zërit të arsyes, për të qetësuar njerëzit dhe të fillojë të flasi sot, se çfarë do bëkemi sot për të marrë masat financiare ekonomike që i takojnë një dite më pas, njësoj siç ndodhi me tërmetin. Akoma nuk ishte dhënë lamtumira atyre që humbën jetën e këtu në Tiranë flitej për faturën, flitej për faturën, por siç ia dolëm me tërmetin, ju siguroj që do ia dalim dhe me këtë dhe vetëm mirëkuptim dhe besim dhe ndërveprim reciprok për të kuptuar se çka po kërkojmë do të ishte absurde në një kohë tjetër të zakonshme, por është gjëja më elementare dhe më normale për t’u bërë sot.

Dua t’i jap Ogertës dhe një herë fjalën për t’i kërkuar që të sqarojë edhe një element tjetër të rëndësishëm që ka të bëjë me kapacitetet për të bërë analiza dhe kur bëhen analizat në fakt sepse është shumë e rëndësishme. Unë ju kam thënë, jo sot, jo në këtë kohë, por dhe në ditën më të qetë të vitit, unë kohë për të humbur duke hapur televizorin për të parë debatet e mbrëmjes nuk kam prej shumë vitesh e ju siguroj që jo nuk humbas asgjë, por absolutisht e shfrytëzoj atë kohë për shumë më tepër gjëra që më ndihmojnë, më mësojnë, më lehtësojnë, shoh një film apo diçka tjetër, por kurrën e kurrës ato debate ku sipas një informacioni që pashë, se marr një informacion shumë të shkurtuar, si mund të mblidhen njerëzit në një studio e të marrin 127?! Mund të ma thonë?!Çfarë është 127, për të bërë gallatë? Marrin 127 nga një studio a punon apo nuk punon. Jo, 127 është adresa e të gjithë  atyre që kanë simptoma, ndërkohë që të gjithë të tjerët duhet të kuptojnë se nuk ka nevojë fare as të shkojnë në spital, as të marrin 127 pse kanë takuar njërin e pse kanë takuar tjetrin. Ju thashë e jua përsëris. Infeksioni shpërndahet kudo pak a shumë në të njëjtën masë e në mënyrë uniforme. Mënyra se si ne reagojmë dhe masat që ne marrim ndryshojnë dhe formën që merr epidemia, ndryshojnë dhe aftësinë për ta vënë atë nën kontroll e për të adresuar pastaj me qetësi rastet kritike. Nëse epidemia pastaj shpërthen dhe shkon në kurbën e verdhë, atëherë kolapson sistemin. Kolapsoi një nga sistemet më ekselentë në Evropë që është sistemi shëndetësor italian. Kolapsoi, pra ka ardhur puna që Italia trajnon sot  që flasim mjek të tjerë, të profileve të tjera për të bërë reanimatorin. Ka ardhur puna që Italia e madhe dhe shumë ekselente në shëndetësi të mos ketë pajisje. Pse? Sepse masat u morën në një ritëm që rezulton të mos jetë ai i duhur plus ndikoi shumë dhe mos përgjigja si duhet e njerëzve.

Se shoh një këtu që thotë “po ne që i kemi  futur një mendje të lehtë ca do na gjejë?” Asgjë, por kjo që bën ti është kërcënim jo për ty personalisht se dhe nëse ti e ke ndarë mendjen t’i fusësh “një mendje të lehtë” dhe të kapi kur të të kapi ajo që nuk duhet të të kapi e të të çojë matanë, unë dhe ne e kemi të ndaluar të të themi “udha e mbarë”, por kjo që bën ti është kërcenim për gjyshen tënde, për familjarët e tu, për miqtë e tu. Kështu që ajo që ka rëndësi është të kuptohet se në Itali u bënë shumë karshillëqe nga të rinj e të reja që bënin party duke thënë nuk pyesim për koronën apo nga të tjerë që bënin shfaqje gjimnastikore, duke u përqafuar e duke u puthur në palestra “se nuk pyesim për koronën”. Këto nuk ndihmojnë. Nuk jemi këtu për të treguar asnjë lloj trimërie se këtu nuk ka lidhje as trimëria, as kurajë, as virtytet heroike të një populli kaq liridashës dhe luftarak sa ne. Këtu është e rëndësishme që secili të bëjë detyrën e vet dhe prandaj shteti, prandaj qeveria, prandaj ministria e shëndetësisë i propozon qeverisë masa drastike. Prandaj tani që flasim kanë filluar të dalin forcat e policisë e të policisë ushtarake për të filluar verifikimet për ata që lëvizin me automjete ndërkohë që duhet të jenë nëpër shtëpia sepse kanë ardhur 14 ditët e fundit nga Italia. Duhet të jenë nëpër shtëpia jo se ata janë me njollë, por sepse ata duhen mbrojtur. U duhet mbrojtur vetja dhe familja e tyre  duke i ndihmuar që ta kuptojnë, që ta fusin në kokë se nesër mund të jetë vonë. Ky është thelbi i gjithë këtij operacioni masash të njëpasnjëshme, por për pjesën e kapaciteteve pritëse, për pjesën e pajisjeve, për pjesën e mënyrës se si parashikojmë ne të përballojmë dhe goditje më të fortë në rast se skenarët e buta do të kapërcehen nga një skenar i egër i shpërndarje, Ogerta duhet t’i thotë fjalët me  kompetencën e ministres së Shëndetësisë e duke vlerësuar gjithë atë çka bën komiteti teknik dhe çka bën sistemi shëndetësor.

Të dhënat e fundit rreth situatës të paraqitura nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:

50 mjekë dhe infermierë të spitalit të Durrësit rezultuan negativë në testin për COVID-19. Ndërkohë kanë përfunduar testimet pasditen e sotme për gjithsej 84 të dyshuar, nga të cilët, 3 kanë rezultuar pozitivë në Tiranë dhe janë kontakte të ngushta të pacientit të parë të konfirmuar me COVID-19.

Në total deri në këto momente, janë testuar 241 të dyshuar për COVID-19 dhe janë 15 persona të identifikuar pozitiv: Prej tyre, 12 kanë lidhje kontakti me rastin e parë të identifkuar dhe 2 janë raste të reja: 1 në Tiranë, një në Lushnje, ndërsa një e moshuar 73- vjeçare ka ndërruar jetë mesditën e sotme në spitalin e Durrësit.

Gjendja shëndetësore e të prekurve paraqitet si vijon:

Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim.