Kryeministri Rama, bashkëbisedim me publikun përmes rrjeteve sociale

Kryemininstri Edi Rama i përgjigjet interesit publik në rrjetet sociale: 

Përshëndetje!

Sot vendosa ta bëj me ju intervistën e ditës dhe t’i përgjigjem pyetjeve, të reagoj për shqetësimet dhe të jap sa më shumë shpjegime në lidhje me temat e shumta të kësaj kohe kaq të ngatërruar.

Së pari dua t’ju them që besoj se është shumë e rëndësishme që ta nënvizoj dhe ta mbajmë si kryefjalë të çdo dite, që do të thotë, motivimi i të gjitha energjive për të fituar luftën dhe ndërkohë që jemi futur në zonën e zjarrit, motoja që ekonomia bie, por ekonomia ngrihet, ndërsa të vdekurit nuk ringjallen dhe qëllimi dhe misioni i të gjithëve bashkë si individë, si familjarë, si qytetarë të këtij vendi, si shqiptarë është të mbrojmë këdo që kemi përreth dhe sëbashku të mbrojmë Shqipërinë, popullin shqiptar. Jeta nuk ka çmim. Hallet janë për njeriun dhe çka nuk të vret, të forcon, thotë Friedrich Nietzsche. Gjithsecili  prej  jush mund të gjejë tek vetja apo tek një i afërt, tek  prindi, tek dikush tjetër në familje, provën se çfarë  nuk  të vret, të forcon dhe nëse ky armik nuk do të na vrasë, do të na forcojë. Qëllimi ynë është që të dalim më të fortë nga ky hall i përbashkët dhe qëllimi im është që atyre  që janë më në hall t’ju qëndroj dhe t’i qëndrojmë sa më pranë, që edhe ata të dalim më të fortë nga ky hall i përbashkët.

Sot kemi pasur 27 persona të infektuar, positive. Jemi në një moment shumë kritik të luftës dhe duke vënë re që, për shkak të ecurisë pozitive të gjithë kësaj përpjekjeje të përbashkët, shumëkush ka filluar të mendojë më shumë seç duhet për të nesërmen dhe të harrojë në këtë moment se çfarë është prioritare, çka është kryefjale e çdo dite; është mbrojta e jetës. Duke lexuar dhe duke ju ndjekur në mënyrë  të vazhdueshme, për t’ju kuptuar më shumë dhe për t’ju ndjerë më shumë, kam vënë re që shumëkush ka filluar të kërkojë gjëra që është ende herët për t’i kërkuar. Ka filluar të qahet për masat shtrënguese dhe ka filluar të flasë më shumë sesa që i takon ditës për cka vjen nesër.

E nesërmja është shqetësimi i yni i përbashkët. Patjetër që e nesërmja, sot i duket më e vështirë të gjithëve, papërjashtim, edhe atij që është më në hall se ju, edhe mua vetë që më duhet të bëj gjithçka për të qenë pranë  jush, për të ndihmuar secilin prej jush dhe për të garantuar ashtu si në cdo shtëpi, që sado  halle ka sot, nuk mund të shembet nesër, shtëpia e përbashkët të mos shembet për arsyet e dritëshkurtësisë në shfrytëzimin e të ardhurave që  kemi në dispozicion dhe e nesërmja të mos jetë shumë më e rëndë, sesa normalisht do të jetë për ne dhe për vendet e tjera, që  nga vendet më të pasura deri tek vendet më të varfra.

Sot, po të mos kishim marrë të parët masat që morëm dhe po të mos kishte qenë ky mirëkuptim mbarëpopullor dhe rezistenca e mrekullueshme e 99.99% të shqiptarëve që jetojnë në territorin e Shqipërisë, nuk do të numëronim 17 të vdekur, që janë të gjithë jetë njerëzish që dhëmbin, padiskutim, por do të ishim tanimë në një tunel prej ku nuk do të dilnim dot pa mijëra të vdekur. E këtë nuk e them unë, këtë mund t’jua thotë cilido nga ata që e njohin mirë sesi funksionon një epidemi dhe sesi avancon ky virus, një armik i padukshëm dhe me këtë armik të padukshëm, që ka kapur në befasi edhe superfuqitë e këtij planeti, që ka paralizuar të gjitha ushtritë dhe të gjitha kapacitet mbrojtëse dhe ushtarake të të gjithë planetit, askush nuk thotë dot sot se ka një ilaç më të mirë sesa rezistenca popullore. Rezistencë popullore kërkon sot cdo lider, që nga liderat e vendeve më të zhvilluara të botës, që nuk e kanë vaksinën, që janë larg së pasuri vaksinë, deri tek të gjithë.

Ne, bazuar në këtë ecuri positive, kemi mundësi të mendojmë për të liruar me pikatore disa masa, shkallë-shkallë, për të lehtësuar psikologjikisht, në radhë të pare, jetën tuaj, jetën tonë të përbashkët, por nuk kemi në asnjë mënyrë të drejtë dhe kemi detyrimin që të mos hedhim hapa të nxituar. Nëse do të zgjedhim, sic po mendojmë dhe siç jua kam thënë përpara disa ditësh, të fillojmë të bëjmë disa lehtësime, patjetër që duhet të bëjmë dhe disa shtrëngime, sepse, nëse lehtësojmë pak, do të jeni më të rrezikuar nga ata që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të kuptojnë dhe që shfaqen aty-këtu në thyerje të rregullave, duke kërcënuar të kthehen në bomba. Kështu që, ajo që ne po konsiderojmë dhe unë do të isha shumë mirënjohës, nëse do të kisha prej jush reagim për këtë, është që duke lehtësuar fjala vjen fashën e orareve, apo duke lehtësuar lëvizjen me automjet për në punë të atyre që janë në një punë e që sot u lejohet dhe që nuk e kanë të mundur të lëvizin me automjetet e tyre private, atëherë duhet të rrisim fort sanksionet për ata që do ta shkelin hapësirën e kufizuar të lirisë dhe duhet të shkojmë ndoshta deri në heqje lirie për dikë, që, nëse merr një automjet për të shkuar në punë, e përdor automjetin e tij privat për të transportuar njerëz të tjerë. Kjo është tani në diskutim intensiv këtu në shtabin tonë, me të cilin  punojmë dita-ditës dhe duke dëgjuar me shumë vëmendje ekspertët, me të cilët pas këtij bashkëbisedimi, unë do të kem një diskutim të gjerë dhe të gjatë.

Më lejoni t’ju jap disa nga ato sqarime që besoj janë të nevojshme, duke ndjekur komentet, reagimet, pyetjet tuaja të këtyre orëve të fundit.

Lidhur me qeratë, debati publik, që mori  formën e një sulmi, në vazhdën e sulmeve, të atyre që fatkeqësisht edhe në mes  luftës nuk po ndryshojnë dot pllakën e gramafonit të këngës së shëmtuar të para luftës, kishte në thelb lemerisjen, si mundet shteti, qeveria të ndërhyjë në një marrëdhënie private mes dy palësh?! Natyrisht, nëse qeveria do të kishte ndërhyrë në një marrëdhënie private mes dy palësh, konkretisht, mes qiradhënësit dhe qiramarrësit në një kohë normale, ky do të ishte një skandal. Por nuk është një kohë normale. Është një kohë lufte. Dhe në këtë kohë lufte, ne jemi jo në të drejtën, po në detyrimin të bëjmë gjithçka për të mbrojtur këdo që është më në hall sesa të tjerët, që janë dhe ata në hall. Ata që janë më në hall se të tjerët janë pa diskutim prioritet dhe janë detyrim i familjes sonë të përbashkët. Në familjen e secilit prej nesh, në familjen e secilit prej jush, personi që ndihmohet nga të gjithë është ai që është më në hall në atë moment. Ndihmohet një i sëmurë, ndihmohet një më i dobët, ndihmohet  një fëmijë, ndihmohet një i afërm që e ka zënë një hall që nuk e përballon dot i vetëm. Meqë u tha edhe sot fatkeqësisht, se ky vendim do krijuaka konflikt social shqiptar me shqiptar, unë dua të them se kam shumë besim se historia ka thënë për  shqiptarët një të vërtetë të madhe dhe unë i besoj asaj të vërtete. Të vërtetës që shqiptarët janë bukë, kripë dhe zemër. Kanë qenë kështu tërë jetën dhe nuk ka sesi të mos jenë sot, pavarësisht se mes shqiptarëve, si në çdo popull tjetër, po mes nesh ekziston një specie e veçantë  shqipoje që është qamet. Ka ekzistuar gjithmonë, por nuk e ka penguar popullin shqiptar që në momentet  e veta më të vështira të nxjerrë nga vetja pjesën e vetë më të virtytshme. Unë nuk besoj kurrë, në parim, që qiradhënësit sot do të shkojnë të kapin për fyti qiramarrësit për t’i nxjerrë nga shtëpia, kur qiramarrësit janë ata, të cilët sot e kanë të pamundur të paguajnë, jo se nuk duan, po se i ka mbyllur lufta në shtëpi.

Si mund një qiradhënës të nxjerrë dikë nga shtëpia, apo dikë që ka mbyllur biznesin e tij të vogël dhe që pret tani të mbijetojë me një pagë lufte?! Si mund të nxjerrësh sot nga shtëpia një student që është mbyllur brenda dhe që nuk ka mundësi të kompensojë pagesën e qirasë, duke shkuar të bëjë një punë tjetër?! Si ka mundësi të nxirren sot nga shtëpia familje ku individët që deri dje punonin, ata që kanë lidhur kontratën, kryefamiljarët sot janë në shtëpi, jo se nuk duan të shkojnë në punë, por se nuk shkojnë dot në punë?! Kjo është ana morale.

Mbi këtë bazë do të ishte mirë që të ishte mirë që të gjithë ata që kanë një mikrofon, një kamera përballë, që kanë një rrugë komunikimi me njerëzit, përpara se të shprehnin shqetësimet, t’u bënin thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë dhënë me qira një mjedis për këta të tjerët, që të kujtojnë bashkërisht që ne duhet ta fitojmë këtë luftë si shqiptarë. Ne nuk mund ta shënojmë veten tone, kohën tone, të qenurit tonë sot, se kalimtarë jemi të gjithë, vijmë e ikim nga kjo botë, mbi këtë tokë, si ata që vranë njëri-tjetrin duke mos rezistuar ndaj një armiku të padukshëm. Apo si ata që kacafyten me njëri- tjetrin, për t’i marrë edhe kafshatën e fundit nga goja.

Thënë kjo, u tha se nuk ka bërë askush në botë, është e pavërtetë, e ka bërë Gjermania, Franca. Mësova sot që e ka bërë edhe Holanda. Por edhe sikur askush nga këto të mos ta kishte bërë, unë do ta kisha bërë përsëri dhe përsëri dhe përsëri.

Nuk është e vërtetë që Akti Normativ për këtë marrëdhënie penalizon qiradhënësit, nuk është e vërtetë që shteti ndërhyn për të mbajtur anën e qiramarrësit në pamundësi përgjithmonë, jo ndërhyn për të mbajtur anën e qiramarrësit në pamundësi për sot dhe për një periudhë pamundësie absolute dhe objective. Nga ana tjetër, në Aktin Normativ thuhet qartë që marrëdhënia mes të dy palëve nuk ndërpritet dot nga pala që ka dhënë me qira shtëpinë, por nuk mundet dot të hidhet në kosh nga pala që sot do të përfitojë lehtësimin dhe që nesër do të duhet të paguajë detyrimin pjesë-pjesë.

Këtu jemi përpara disa kategorish. Franca e ka bërë për të gjithë, ne nuk e bëjmë për të gjithë. Ne nuk mund t’i themi kompanive që mos paguani qeratë, ne nuk mund t’i themi atyre që janë biznese të mëdha dhe asnjë biznesi që është mbi 140 mijë dollarë në vit që quhet biznes i mesëm dhe i madh mos paguani qeratë. Por ama biznesit të vogël, të gjithë atyre që janë në fakt shpirti i punës dhe të jetuarit me punë përmes vetëpunësimit dhe krijimit të vendeve të punës në shtresën më të poshtme të të gjithë sipërmarrjes shqiptare, ne i themi që ne jemi në anën tuaj dhe nuk do lejojmë askënd që të vijë dhe t’ju  nxjerrë juve nga mjedisi juaj për mospagim qeraje dhe ju nuk do ta paguani qeranë deri në periudhën e përcaktuar, që përkon me një horizont që ne e quajmë të arsyeshëm në raport me dinamikën e luftës. Kështu e kanë bërë të gjithë të tjerët, me një horizont, me një afat. Gjermania ka vënë fundin e qershorit.

Nga ana tjetër, ne nuk i themi disave që kanë dhënë me qera një pronë dhe jetojnë me atë qera, sepse kam marrë një sërë mesazhesh nga këta individë, ose në emër të këtyre individëve, se këtu ka edhe një histori tjetër që shumëkush shkruan për hallet e popullit dhe për hallet e të tjerëve dhe nuk është fare pjesë e atij halli dhe nuk e di fare atë hall, por unë flas për ata që realisht e kanë këtë hall. Jua thash dje dhe po jua përsëris, Akti do të detajohet dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nxjerrë disa udhëzime dhe individët, të cilët jetojnë me qeranë e një mjedisi që e kanë në pronësi dhe nuk kanë të ardhura të tjera, absolutisht që do të jemi ne që do t’i mbështesim për këtë periudhë. Do t’i mbështesim me një subvencion. Ashtu sikundër do të mbështesim me një subvencion edhe bizneset e vogla që sigurisht nuk do ta paguajnë qeranë deri në këtë limit të vendosur, por që edhe mund të shtyhet, por ama kur të përballen me qiradhënësin, nuk do t’i lëmë vetëm.

Subvencion, që nuk do të thotë të gjithë masën e qerasë, por një pjesë sipas kalkulimeve dhe kategorive që duhen përcaktuar mire. Se nuk bëhen gjërat ofshe. Ofshe bëheshin në kohën e piramidave dhe partia e Sudes e ka shumë kollaj, vazhdon i bën gjërat ofshe dhe pastaj sjell një faturë që do të kishte tronditur edhe Francën në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar. Se po të zbatohej ajo faturë, duhej që t’ua merrnim pensionistëve të gjitha pensionet, për të bërë jo për dy, as për tre, për një muaj të gjitha ato që përshkruhen në atë recetë magjike. Magjike njësoj si receta e zonjës Sude.

Shqiptari e ndan bukën.

Për bukë, shqiptari nuk ka vdekur kurrë. As në kohët e veta më të zeza. Dhe për bukë, askush nuk do të vdesë, as në këtë luftë. Kjo është pak fare, por është gjëja më e sigurtë.

Në përgjigje të shqetësimeve tuaja, edhe njëherë ju lutem bëni durim dhe më thoni vetëm që çfarë imagjinoni dhe çfarë mendoni ju, sepse sinqerisht imagjinata jonë nuk arrin ta kapë, seç mund të bëjmë ne për ata, të cilët janë në të zezë? Kemi parë të gjitha praktikat, absolutisht. Kemi ndjekur të gjitha draftet e paketave, absolutisht. Flas për një numër të madh vendesh në rajon, në Europë, në SHBA, natyrisht jo për të matur paratë, sepse paratë nuk maten duke krahasuar paratë me paratë, por maten duke krahasuar paratë në raport me Prodhimin e Përgjithshëm të një vendi, në raport me buxhetin e një vendi dhe po ju them që paketa jonë nuk është më e vogël se paketa e shumë prej këtyre vendeve, pasi është 2.2% e të gjithë Prodhimit të Përgjithshëm për një kohë kaq të shkurtër. Por për punën në të zezë ka një problem shumë të madh. Është e vërtetë që ka artizanë, hidraulikë, elektricistë, bojaxhinj, suvatues, ka njerëz, të cilët punojnë në të zezë dhe ata vërtetë janë në hall, sepse sot nuk shkon dot të suvatosh apo të lyesh shtëpinë e dikujt. Por i lutem shumë atyre të vërtetëve, jo atyre që s’kanë lidhje fare dhe s’kanë bërë asnjë punë në jetën e tyre, përveçse kanë kopjuar provimet dhe që çojnë komente këtu për probleme globale, si mund ta zgjidhë shteti hallin e shumëkujt që ka punuar në të zezë në një kompani dhe që sot nuk punon? Nëse  do të thonim do paguajmë të gjithë ata që kanë punuar në të zezë, të jeni të sigurt që do vinin edhe këta që punojnë vetëm në të zezën e gjuhës e gojës së tyre, në Facebook dhe do thonin edhe kam punuar në të zezë. Prandaj e vetmja rrugë  që ne kemi gjetur dhe kemi parë që, të paktën me sa kemi ndjekur, nuk e propozon një shtet tjetër, – flitet këtu për Amerikën, të gjitha janë të adresuara tek ata që janë të siguruar, tek askush tjetër, – ne kemi bërë që ata që punojnë  në një kompani në të zezë e që sot janë në hall, ta denoncojnë se ku kanë punuar dhe kush është personi që ua ka dhënë lekët në të zezë, që ne të bëjmë verifikimin dhe personit t’i themi, ti do ta paguash. Në Aktin e masave të reja, ato të pikatores së lehtësimit dhe ato shtrënguese, ne po konceptojmë dhe një masë për sipërmarrësit që luajnë me gjakun e me djersën e njerëzve në të zezë, një masë që mund të shkojë deri në heqje lirie, por që kjo masë të funksionojë, duhet që njerëzit të ngrenë zërin. Nëse thua po vdes për bukë e po më vdes familja, atëherë nuk je aq në gjendje që për të shpëtuar familjen të denoncosh personin që nuk po të jep atë që të takon, ose po ta mohon atë që të takon sot? Atëherë në këtë pikë, askush nuk të ndihmon dot.

[Koment në rrjetet sociale] Shoku Kryeministër, nuk ndërpriten dritat.

Dritat do ndërpriten, nëse dritat i merr dhe nuk i paguan. Dritat janë mall, njësoj si të gjitha mallrat që për mbijetesë, apo për të jetuar, i blini në dyqan. Keni parë njeri që të shkojë të sulmojë shitësin e bukës me të shara e me mallkime, pse i thotë që për bukën do më japësh atë që bën? Dritat nuk vijnë nga qielli, nuk vijnë nga qeveria, dritat vijnë nga prodhimi dhe nëse ne bëjmë mëkatin e faljes së dritave sot, ne nuk kemi mundësi t’i mbijetojmë një errësire të madhe ekonomike e sociale nesër. Drita duhen paguar e kompania që i shpërndan ato drita ka një fond me të cilin punon. Nëse kompania nuk mbledh kontributet, me çfarë do t’i importojë dritat nga jashtë? Atëherë do duhet që këto para që ne po i vëmë për rezistencën, t’i çojmë për dritat dhe përsëri të mos ia dalim dot.

Tema tjetër është tema e ndihmave. Shoh një grup, jo të organizuar, por një kategori njerëzish, që me paturpësinë më të madhe këtu tallen, përqeshin, shajnë, ofendojnë mijëra njerëz që sot po sakrifikojnë jetën e tyre, duke shkuar derë më derë për një qese. Po ju shpjegoj dhe kjo vlen edhe për ata, të cilët kanë shprehur në më shumë se një rast, që ndihmat ndahen për miqtë, për shokët e për partinë. Miqtë e mi, ndihmat, ato që ne dhe unë publikoj, janë ndihma ushqimore, ndihma me barna, apo edhe ndihma të tjera për shërbime emergjence familjesh të caktuara. Janë 147 mijë e 663 sot që flasim, dyert ku ne kemi trokitur në këtë periudhë kohe. Përsa i përket qeseve, nuk dua t’ju tregoj qeset me patate që shpërndaheshin dje në Bordo të Francës për familje të një zone me halle të mëdha sociale, por dua t’ju them që kjo është luftë për ekzistencë dhe nëse keni parë qese, unë mendoj që, kur i shihni ato qese, duhet të kuptoni në radhë të parë, që askush nga ata që kanë nevojë të ekzistojnë në këtë luftë nuk po lihet vetëm.

Ato qese që i quani, nuk janë qese, janë dora shtrirë e solidaritetit. Respekt për ata që e bëjnë këtë punë dhe më e bukura është që  ata që i marrin këto qese nuk kanë Facebook. Ata që i marrin ato qese janë mirëkuptues, janë edhe falënderues. Ka një pako të Rezervave të Shtetit, e cila është standardizuar dhe ka ndihma të bëra nga bashkitë, që në fazën e parë nuk ishin të standardizuara, por ishin ndihma zemre dhe solidariteti dhe gjendjeje afër njerëzve. Ka edhe qese të bëra nga Fundjava Ndryshe, me të cilën ne punojmë ngushtësisht. Pakoja nuk është një pako që hidhet tek dera, për të larë gojën, por është një pako e standardizuar, e cila – e kam këtu t’jua tregoj, – përmban makarona 4 kilogramë; oriz, 5 kilogramë; vaj ushqimor 2 litra; sheqer dy kilogramë; kripë 2 kilogramë; salcë 2 kilogramë; fasule 4 kilogramë; miell 25 kilogramë për një muaj; detergjent 5 kilogramë; sapun, 5 copë. Dhe është një pako për dy javë, jo për deri në fund e jo për të larë gojën. Kjo pako, deri përpara një apo dy diteve, ka shkuar në të gjitha familjet që jetojnë në çadër. Mirëkuptimi i plotë për të gjithë ata që qahen sepse të gjithë kanë një hall sot, nga më i madhi tek më i vogli, por sot ka njerëz që jetojnë në çadër e nuk duhet të dalin, jo nga shtëpia, por nga çadra. E nuk është një film, është një realitet shumë afër nga këtu.

Për të tjerët është bërë konsumimi i gjithë bazës ndihmuese të 61 bashkie. Prandaj ka pasur pako, ka pasur edhe qese, patjetër. Nuk kanë të gjitha bashkitë pako, siç i kanë Rezervat e Shtetit kutitë, të gjitha të organizuara më së miri për këtë ditë të zezë. Nëse ju duken këto të pamjaftueshme për të mbajtur frymën gjallë, atëherë me siguri ose nuk i keni sytë të gatshëm për të parë të vërtetën dhe realitetin, ose gabimisht mendoni që kjo është një kohë për të ngrënë e për të pirë, për të çuar mesazhe e për të kërkuar më shumë. Por nuk është kështu.

[Pyetje nga rrjetet sociale] A është e vërtetë që kompanitë e Call center-ave nuk janë mbyllur, por punonjësit nuk mund të shkojnë në punë, se nuk ka mjete publike e private që qarkullojnë? Si do veprohet?

Këtu janë gjërat që kontradiktojnë njëra tjetrën. Është shumë e vërtetë që për një pjesë të punonjësve është e pamundur të shkojnë në punë në këto ndërmarrje. Ne e kemi pranuar këtë me vetëdije, për të lehtësuar ngarkesën e për t’i dhënë kohë këtyre ndërmarrjeve që të marrin të gjitha masat, në rast të pamundësisë së hapësirës së distancave të sigurta. Ne po mendojmë një masë lehtësuese që nuk është sot, nuk është nesër, por është pak më tutje, për të lejuar të gjithë ata individë që lejohen të punojnë në kompanitë apo në bizneset e mëdha, ose të vogla, të punojnë, të lëvizin me automjetin e tyre privat. Por edhe një herë e shtyj pyetjen, a jeni dakord që kjo masë duhet shoqëruar me një masë shtrënguese shumë më të fortë se deri sot, jo thjesht me gjobë, por deri në heqje lirie? Ma thoni, jeni dakord apo jo? Se nuk mund të nxjerrim sytë për të vënë vetulla, sepse jeta është shumë më e rëndësishme se të gjitha hallet e tjera dhe i vdekuri nuk ngjallet, ekonomia gjithmonë ringjallet.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Studentët që kanë bërë pagesën vjetore të konviktit, çdo të bëhet dhe a do ta marrin bursën ekscelentët?

Ekselentëve nuk do t’i heqim asnjë qindarkë nga bursa. Ekselentët nuk i konsiderojmë  persona, të cilët kanë ikur me pushime për qejfin e tyre, por i konsiderojmë njerëz të dinjitetshëm, që janë mbyllur në shtëpi  nga halli i madh që na ka zënë të gjithëve, por ama vazhdojnë studiojnë. Por nuk do t’i heqim bursën as të tjerë studentëve, sepse nuk janë atje ngaqë nuk duan të shkojnë në shkollë, siç nuk shkojnë shumë nga ata kur rruga është e hapur dhe e kanë detyrë të jenë në shkollë, por janë atje se kanë një hall shumë të madh dhe ato bursa sot ndihmojnë edhe familjen. Kështu që nuk i prekim ato bursa.

Përsa i përket hapjes së kufijve, dua ta them më vjen shumë keq, më vjen jashtëzakonisht keq,  ndjehem si ska më keq, kur duhet t’i them bashkëqytetarëve tanë, shqiptarë si unë e si të gjithë ne që jemi këtu, që nuk mund të vini dot në Shqipëri. Për një arsye sa të thjeshtë, aq dhe të dhimbshme, sepse, nëse ne hapim kufijtë dhe lejojmë kthimin në atdhe të të gjithë atyre që duan të kthehen, ne nuk kemi më vend për të varrosur njerëz, jo si në Bergamo, as si në Iran, por shumë më keq se kaq. Vetëm për këtë. Për asnjë arsye tjetër në botë e nuk mendoj që cilido prej jush që e keni këtë stres, e vini në dyshim se ky është i vetmi qëllim dhe e vini në dyshim se duke ardhur, vini në rrezik dhe të tjerët, vini në rrezik dhe veten. Duke ndenjur aty ku jeni, jetën e keni të sigurt, vuajtjet i keni të garantuara si të gjithë të tjerët. Lufta nuk vjen që të na sjellë gëzim, lufta vjen që të na sjellë vuajtje. Nuk besoj të keni lexuar, – se për të parë, kemi parë vetëm luftën që solli këtu 500 mijë motra e vëllezër nga Kosova, – që ka pasur ndonjë luftë në historinë  e njerëzimit që ka sjellë gëzime, ka sjellë vetëm viktima, ka sjellë vetëm plagë të panumërta e vuajtje të paharrueshme. Kështu është dhe kjo. Kjo është lufta e tretë botërore. Unë nuk e di se çfarë emri tjetër mund t’i vë kësaj, kur shikon që NATO është kthyer në një organizatë humanitare dhe të gjitha arsenalet ushtarake të botës janë nëpër depo se nuk i hyjnë në  punë askujt. Kjo është një luftë, se asnjë armik tokësor nuk do kishte mundur dot të mbyllte në shtëpi askënd nga shtetet që sot janë në këtë planet. Ky armik i mbylli në shtëpi të gjithë. Ky armik  bëri që nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, superfuqi, deri tek unë këtu që jam Kryeministri i një vendi shumë të vogël, të flasim për një mbrojtje sa më efektive.

Tema tjetër është tema e qerave të biznesit të vogël. Të gjithë bizneset e vogla nuk do paguajnë qera deri në afatin e përcaktuar nga Akti Normativ, mbi atë princip që folëm më parë, ndërsa për atë biznes të vogël që është i mbyllur në shtëpi se nuk punon, njësoj si për individët që kanë dhënë një mjedis me qera dhe e kanë burim parësor të ardhurash për të jetuar vetë, ne po studiojmë një subvencion,  por na duhet shumë pak kohë e të gjitha këto do të përfshihen në paketën e zgjeruar.

[Koment nga rrjetet sociale] Mos bjer në melankoli, por na jep zgjidhje, çfarë do bëhet me ne se nuk punojmë dot.

Edhe një herë, lufta ka ardhur për të na bërë dëme të mëdha, për të na krijuar halle që nuk i kishim imagjinuar, as unë në punën që jam i nderuar të bëj me mandatin tuaj, as ju dhe as kush tjetër. Halle që nuk i kishim imagjinuar. Për ata që kanë humbur punën në një kompani, pas apo si rezultat i këtij sulmi armik, që janë të regjistruar në kompani, ne do të ndjekim dinamikën dhe kemi bërë ndërkohë një masë që fillon të zbatohet ditën e hënë. Kompanive u kemi vënë në dispozicion një garanci sovrane të shtetit shqiptar, për të marrë në bankë paratë që u duhen, ata, të cilët nuk i paguajnë dot të mos i heqin nga puna, ose t’i çojnë në shtëpi, por t’u japin një pagë lufte si të gjithë të tjerët. Disa, sidomos këta të partisë së Sudes, thonë që kjo nuk do funksionojë. Do ta shohim, do funksionojë apo jo. Ne mendojmë që jo vetëm do funksionojë, por ai 100 milionë dollarëshi i vënë në dispozicion mund të mos jetë i mjaftueshëm dhe ne jemi gati që ta rrisim për punonjësit.

Ndërkohë jemi duke marrë emër për emër, çdo ditë, të gjithë ata që po goditen nga kjo luftë dhe sigurisht që nuk do t’i lëmë vetëm. Por se si do ta bëjmë mbështetjen, nëse do të duhet dhe për aq sa do duhet, ne do ta themi kur ta kemi shumë të qartë, bazuar te llogaritë e domosdoshme që duhet të bëjmë që t’ju ndihmojmë ju, por që të mos mbetemi këtu pas 2-3 muajsh, si mbeti partia e Sudes në ’97-ën. Ne nuk mund të funksionojmë me llogjikën që kur ishte paqja, jepje një dhe merrje dy, kur vjen lufta do marrësh dy dhe s’do marrësh asnjë. Kjo nuk funksionon. Është e pamundur.

 

Kam dëgjuar që fatkeqësisht është përsëritur që ato që kemi thënë, nuk janë bërë akoma. Kjo është një gënjeshtër, sepse ndihma ekonomike e dyfishuar është lëvruar autorizimi për Thesarin dhe shkon kudo te ata që janë me ndihmë ekonomike, dyfishin për këtë kohë lufte.

 

Ditën e hënë miratohen 10 mijë aplikimet e para nga biznesi i vogël, që hyn në kategorinë e atyre që duhet të marrin pagën e luftës. Pas miratimit fillon lëvrimi të martën dhe gjatë gjithë javës do bëhen miratime dhe lëvrime.

 

Pensionistët, brenda datës 21, kur marrin edhe pensionin, do të marrin një pension më të lartë se ai që kishin. Kur shfaqen pensionistë në imagjinatën tuaj që shkruani për pensionistë, çfarë ka ndryshuar përveç vuajtjes që duhet të rrinë përkohësisht në shtëpi? Apo mendoni se pensionistët në këtë fazë do hanë më shumë, siç hani ju që jeni te ai grupi që rrini gjithë ditën në shtëpi, se nuk shkoni dot as në kafene dhe e kujtojnë kafene Facebook-un tim këtu, apo gjithë ato rrjete ku hedh gjithë batërdinë e padijes dhe të mllefit të vet.

 

[Pyetje nga rrjetet sociale] Cfarë na thua në lidhje me administratën, kur do fillojë punë, se kemi letra për të bërë?

 

Aleksandër, kemi jetën tënde dhe të familjes tënde për të mbrojtur dhe nuk ke letra për të bërë në këtë moment, por ke detyrën të mbrosh të tjerët nga vetja jote, që të mos kthehet në bombë, pa dashjen tënde dhe të vrasë njerëz që ti do, respekton, apo i njeh.

 

[Koment nga rrjetet sociale] Lobuat për tregun, për çmimet dhe ndërkohë çmimet janë rritur.

 

Nëse ju do më sillni në tavolinë rastin e luftës, ku çmimet e mallrave që janë më të kërkuara nuk rriten, atëherë do ta ndjekim atë rast, por janë rritur shumë më pak seç do të rriteshin nëse ne nuk do të ishim çdo ditë në terren dhe kemi goditur çdo ditë fenomene spekullimi dhe abuzimi. Ky është një fakt.

 

[Pyetje nga rrjetet sociale] Po rrugët në Itali kur do i hapësh?

 

Unë nuk mendoj që do numëroj një nga një të gjitha vendet që janë të bllokuara, por po ju them dhe njëherë tjetër që kufiri është i mbyllur dhe rrugët do hapen kur të arrijmë në konkluzionin që armiku është zmbrapsur dhe nuk kthehet më. Atëherë do hapen rrugët. Mund ta hapim ne rrugën, po se hap Italia.

 

[Pyetje nga rrjetet sociale] Jam një sipërmarrës. Kam 8 punëtorë, i kam jashtë Tiranës dhe nuk di si t’ia bëj.

 

Po mendojmë për momentin kur do çlirojmë automjetet e atyre që janë në punë, për aktivitetet që lejohen. Do ta bëjmë shpejt. Por e përsëris dhe dua ta di nga ju, se unë besoj që jam i qartë, po liruam automjetet për të gjithë individët që janë në një punë dhe ta lirojmë për ata që mund të punojnë, atëherë, duhet të shtrëngojmë masën për ata që e marrin automjetin dhe e përdorin për të dalë xhiro? Unë them që ata pastaj nuk mund të kthehen më në shtëpi. Ata duhet të shkojnë atje ku kryhen krime, sepse sot të shkelësh rregullat është thjesht potencialisht duke kryer një krim, duke vrarë një njeri, duke hapur një zinxhir të tërë infeksioni.

 

[Pyetje nga rrjetet sociale] Pse duhet të marrë kredi biznesi i madh për të paguar punëtorët dhe pse duhet të paguajë biznesi i madh, kur ai lufton krejt i vetëm?

 

Nëse ty të duket që biznesi mund të marrë kredi sovrane, që të mbash gjallë kapitalin tënd njerëzor, ti thua se po lufton vetëm?! Në asnjë vend të botës, as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk funksionon për kompanitë e mëdha, përveçse me instrument garancie.

 

[Koment nga rrjetet sociale] Këtë duhet ta kishe menduar përpara, se inspektorët e tu i lanë ata që të punojnë në të zezë.

 

Informaliteti është sot aleati i armikut. Kur unë kërkoja, kërkoj dhe do vazhdoj të kërkoj sanksione shumë të rënda për ata që mbajnë njerëz në të zezë, prej të cilëve kemi hequr dhe kemi nxjerrë në dritë, pra, i kemi regjistruar gati 200 mijë veta, nuk kam pasur parasysh që do vinte kjo ditë, që do plaste një luftë e tretë botërore, por ja një mësim i madh, që uroj shumë të mos harrosh dhe mos ta harrojë askush, kur të vijë dita që të kthehemi në Parlament dhe na duhet që të merremi seriozisht me punën në të zezë. Nga ana tjetër nuk është vetëm punë inspektorësh, kjo është punë e shumëkujt që mendon se duke mos u siguruar dhe duke menduar sot për sot, është më e lehtë, madje i duken budallenj ata që sigurohen. Vërtetë flasim për vendet e tjera, por vendet e tjera, gjatë çdo muaji të vitit paguajnë diçka veç dhe kanë më shumë taksa, sesa ato që marrin me vete në shtëpi dhe paguajnë veç jo vetëm për pensionin, jo vetëm për shëndetin, por edhe për ditët kur mund t’i nxjerrin nga puna dhe pastaj iu jep shteti, por shteti nuk i gjen në det, as në qiell, por i gjen pikërisht te ajo arka e kontributeve të të gjithëve, e përbashkët.

 

[Pyetje nga rrjetet sociale] Punoj në një furrë buke dhe jam pezulluar nga puna.

 

Ne po mendojmë për shtrirjen e orarit. Është një nga masat lehtësuese, sepse mendojmë që në këtë fazë ka një vetëdije më të madhe. Në fund të fundit, të gjithë jemi në frymë të kësaj rezistence. Por do ta bëjmë me shumë kujdes. Do shtrihet orari, por kush do thyejë rregullin, do i hiqet liria. Nuk ka rrugë tjetër!

 

[Koment nga rrjetet sociale] Familja që jeton me të ardhura nga qera dhe nuk ka të ardhura të tjera.

 

Ata që kanë të ardhura bazë nga dhënia me qera e një mjedisi që është pronë e tyre nuk do t’i lëmë vetëm. Do subvenciojmë një pjesë të problemit, që do të thotë që nga njëra anë, kur të vijë dita që të bëjmë riskedulimin, të marrin pjesë-pjesë nga qiramarrësi atë që iu takon, nga ana tjetër, të ketë një mbështetje nga ne. Sa do jetë kjo, do ua themi kur të bëjmë paketën e zgjeruar, sepse po bëjmë të gjitha matjet, jo financiare, por të kategorive, të numrave, sepse është llogari. Nëse do kishim një luftë që do ta dinim që zgjat një muaj, do kishim tjetër paketë. Por kjo mund të zgjasë edhe 3, 4, apo 7 muaj, se çfarë nuk po dëgjojmë dhe jo çfarë nuk dëgjoni ju, por dhe çfarë nuk dëgjoj unë që po mundohem të marr burime zyrtare nga shumë vende dhe askush nuk e di. Presidenti i SHBA-ve tha 2 javë, pastaj tha 1 muaj, tani thotë për t’u rihapur komplet, mund të shkojë 6 muaj, sepse edhe atij, ekspertët nuk i thonë dot diçka të saktë. Sot po bëhet luftë për maskat prapë. Duhen maska, pastaj s’duhen maska. Vetë OBSH-ja tha nuk duhen, tani thotë duhen, pastaj tha duhen për ata, s’duhen për këta. Nuk është një situatë ku ne mund të ecim qorrazi dhe prandaj është lojë shahu shumë e ngatërruar. Luan ti, luan armiku, luan kundërshtari, por ky është një armik që nuk e sheh fare dhe ky nuk i ka rregullat për të cilat ti ke ilaç tjetër, përvecse të mbrohesh.

[Koment nga rrjetet sociale] Rriti pagat e njerezve, se do të ikin të gjithë nga Shqipëria.

Unë mendoj se ata që janë sot në Shqipëri, me ndihmën e Zotit, kjo vertetohet deri në fund, do t’ja dinë shumë për nder fatit të tyre dhe vetes së tyre, që i gjeti kjo luftë në Shqipëri. Dje në mëngjes kam marrë një mesazh nga miku im shqiptar, avokat në Neë York City. Është aty qëkur nuk mbahet mend, jeton në Manhatan dhe më shkruante se për herë të parë do të doja ta zëvendësoja menjëherë, këtu ku jam me aty ku jeni ju. Sepse dëgjoj njërëz lloj-lloj që ankohen duke parë Amerikën, thuaju – më tha, – që kam pritur 8 ditë për të marrë përgjigjen për tamponin dhe dola me COVID dhe sot nuk dal dot, se nuk e di, nuk kam shans që të kap radhën të bëj testin që të marr vesh a jam pastruar apo jo.

Rrogat nuk rriten se kam qejf unë, apo ke dëshirë ti. Po të ishte me qejf dhe me dëshirë, nuk ka dëshirë njeri më shumë në këtë vend që të rriten rrogat. Nuk ka njeri në këtë vend që nuk do të donte t’i bënte ty dhe atyre që kërkojnë si ty, rrogat sa në Gjermani, por partia e Sudes e çoi njëherë Shqipërinë në greminë dhe është një parti që është në respiratorin e iluzioneve të veta, por nuk është më për këtë popull. Mos kërkoni nga unë të marr ndonjë nga shembujt që i ka lënë për turpin e vet, historisë së këtij vendi.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Kam një firmë ndërtimi dhe bankat po më nxjerrin probleme. Kam 20 punëtorë.

Nuk ka arsye që bankat të nxjerrin probleme. Me bankat kemi folur dhe e kemi qartësisht dakordësuar që do të jenë pranë jush. Dhe është në interesin e tyre, sepse bankat nuk kanë interes që të shkatërroheni ju, përkundrazi.

[Koment nga rrjetet sociale] Mos fol për doktorrat, se ato e kanë rrogën 10 mijë euro nga ato që i vjedhin njerezve.

Po turp nuk ke fare ti! Akoma nuk ke parë dhe nuk ke kuptuar që mjekët tanë, infermirët tanë janë heronj dhe po të mos ishin ata që po tregojnë një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe një profesionalizëm të jashtëzakonshëm aty në vijën e zjarrit, ku po kacafyten për të nxjerrë vdekjen nga trupi i njerzve, që, largqoftë, mund të ishin prindërit e tu, ne do të ishim sot, ose nuk do të ishim fare duke folur bashkë. Kështu që nuk t’i kemi dhënë pushimet që të rrish këtu dhe të flasësh brockulla, por të kemi dhënë mundësinë ty dhe të gjithëve ju që jeni studentë të lexoni dhe të mësoni, ta mbushni kokën plot dhe pastaj të jepni mend. Si mund të shahen dhe si mund të ofendohen ata, të cilët po rezistojnë atje për të gjithë ne dhe gjithë populli po i brohoret, po i mbështet dhe po lutet për ta, sepse pa ata nuk ka më jetë këtu.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Jam një fermer dhe desha të çoj një mall ne treg me një makinë golf?

Sot për sot, kjo nuk është e mundur dhe është koha ta rimendosh që të mos shkosh në treg me një makinë golf, por prodhimin tënd ta bashkosh me të tjerët. Nuk vazhdohet me makinën golf në treg direkt, por me makinën golf shkohet tek grumbulluesi dhe bëhu pjesë e skemës që ju jep sukses atyre, të cilët e bëjnë këtë punë dhe që janë gjithmonë e më shumë.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Po ne që jemi pa sigurime e punojmë në të zezë?

Realisht, një nga gjërat që më stresojnë jashtë mase është që nuk ju ndihmoj dot juve që punoni në të zezë, që nuk figuroni asgjëkundi. Asnjë shtet nuk e bën, nuk ka asnjë mënyrë. Nëse ti punon në të zezë në një kompani apo ndërmarrje, denonco atë që të ka mbajtur në të zezë. Unë e kuptoj shumë mirë shqetësimin tënd, por pse nuk e denoncon atë që të ka dhënë para në të zezë. Ne do të bëjmë verifikimin dhe thjesht dhe vetëm do t’i kërkojmë që të të regjistrojë dhe të të japi atë që i takon.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Po ne që kemi paguar për një vit qeranë si i bëhet?

Ne po flasim për ata që s’e paguajnë dot. E di çdo të thotë që të kesh një biznes të vogël, të kesh një dyqan me qera dhe të mos ta hapësh dot dyqanin 10 ditë, 20 ditë, 30 ditë 40 ditë 50 ditë. Do të thotë praktikisht të jesh komplet pa zgjidhje. E di çdo të thotë të jesh një student, që të jep familja një pjesë, por një pjesë tjetër ti e mbulon vete sepse bën një punë të dytë. Por, edhe nëse nuk bën një punë të dytë, sot, babai yt nuk është në punë dhe nuk ta çon dot atë pjesën. E di çdo të thotë të jesh një kryefamiljar që ke lidhur një kontratë qeraje dhe sot nuk ke punë, jo se nuk do të punosh, por nuk shkon dot në punë. Këta janë ata që do të ndihmojmë ne. Këta janë ata që duhen mbështetur. Ti që e ke paguar qiranë për një vit, do që të shkojmë ne tek qiradhënësi dhe ti themi jepi lekët se ti pagoi, por nuk e dinte që do fillonte lufta dhe do të dilte një akt normative?! Mos kujto që këto nuk janë lekë që këta që janë më në hall nuk do t’i paguajnë. Pse do t’i marrësh mbrapsht, kur i ke paguar? Këta do t’i paguajnë pak nga pak, në marrëveshje me pronarin e shtëpisë

[Pyetje nga rrjetet sociale] Përse të mos marrim edhe ne një shpërblim, që përballemi me virusin që shkojmë në punë?

Ti nuk përballesh me virusin, se përballja me virusin të bën që, largqoftë, të shtrihesdh në krevat. Ti thjeshtë e vetëm mbron veten dhe i shmangesh përballjes dhe vepron shumë mire dhe nuk ke pse merr shpërblim. Kjo mund të jetë një histori që mund të zgjasë. Dhe ne po ndryshojmë stilin e jetës. Përmendin disa Suedinë, por ne nuk jemi suedezëë, ne nuk jemi policët e vetvetes dhe nuk jemi shquar asnjëherë si të tillë. Qytetarët në Suedi dhe shteti kanë një marrëveshje tjetër prej shumë kohësh, Suedezët, shtetin e ndjekin kur u thotë që kjo nuk bëhet, bëni kujdes, njësoj siç ndiqni ju tani masat shtrënguese, por e ndjekin edhe kur është kohë e mirë, paqe, për çdo gjë. Ne nuk e bëjmë dot. Imagjinoni sikur t’ju themi dilni tani, si bëhet këtu, u bëmë kërthiza e COVID, jo e planetit, por do të shkojë COVID deri në hënë.

[Koment nga rrjetet sociale] Po flisni për rritje pensioni, por ne e morëm pensionin dhe nuk pamë ndonjë rritje.

Në datën21 do ta shohësh vitin. Ke marrë pensionin e mëparshëm dhe pensioni pas daljes së Aktit, brenda datës 21, do të shikosh që pensioni të është rritur. Kemi vënë 21 milionë dollarë në shërbimin e të gjithë pensionistëve.

[Koment nga rrjetet sociale] Unë prisja të konkurroja në portal për infermier, por u mbyll çdo gjë dhe tani jemi tre vetë pa asnjë të ardhur.

Regjistrohu vullnetar tek lista e gjatë e atyre që janë në front në rast se këtu do të përballemi, largqoftë, me katastrofën dhe konkursin do ta bëjmë kur të hapet konkursi.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Jam i vëtëpunësuar dhe kam punuar në të zezë. Kë të denoncoj?

Unë nuk e dyshoj që ti nuk gënjen, por si i bëhet me shumë të tjerë që do vijnë e të thonë edhe unë kam punuar në të zezë dhe dua lekë. Nuk e ka bërë asnjë shtet i botës dhe nuk e bën dot. Do ta kalojmë të gjithë, do ta kalosh edhe ti, të jesh i sigurtë, me hall të madh do ta kalosh, por mos e harro këtë që po vuan dhe nesër kur të fillosh punën, të regjistrohesh. Nëse je individ i vetëpunësuar në të zezë, ke një xhiro vjetore që nuk është e madhe dhe nuk do paguash ndonjë taksë marramendëse. Nëse e ke xhiron deri në 20 milionë lekë (të vjetra) do paguash zero taksë, nëse e ke deri në 50 milionë lekë në vit do paguash vetëm 5% taksë dhe vetëm për 5% taksë nga ajo që fiton në muaj, sot je në këtë gjendje dhe unë që dua të të ndihmoj me çdo kusht, nuk të ndihmoj dot, s’kemi sesi.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Pse e gënjen popullin me pasaportën 90 ditore?

Pse disa nga ju e keni fjalën gënjeshtër në majë të gjuhës, apo ju ka mësuar partia e Sudes, që kur nuk merr dy, po dhe një, tjetri po të gënjen. Kemi folur me qeverinë greke dhe në mënyrën më mirëkuptuese, më të arsyeshme dhe më të favorshme na është thënë që nuk do të ndodhë kështu si thua ti. Unë nuk kam asnjë arsye të gënjej dhe unë nuk gënjej. Unë them atë që mendoj. Mund ta mendoj ndonjëherë gabim, mund të them që kjo do bëhet nesër dhe për arsye të tjera bëhet pasner, por përse duhet të gënjej!

[Koment nga rrjetet sociale] Ngele duke u bërë si Enveri, thotë Ervini.

Ervin, e ke njohur Enverin, apo ta ka treguar baba. Përse po bëhem si Enveri, se po të mbroj ty që me këtë mendje që ke mund të shkosh të hedhësh në erë të gjithë familjen e të bëhesh COVID-i i shtëpisë. Mos lëviiz nga shtëpia, laj duart, hap dritaren dhe ulu lexo librat, që të jesh gati kur të kthehesh në shkollë. Jepi prindërve mbrapsht atë që kanë bërë për ty.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Më tërhoqën patentën se isha 45 minuta jashtë fashës orare, po shkoja për punë.   

Nëse kë bërë ankimimin do të marrësh përgjigje positive, me siguri, sepse ka pasur disa raste të tilla dhe ëhstë sqaruar se për rastet kur ka një orar të arsyeshëm të shkelur të atyre që janë në punë dhe kanë autorizim, do të kertë absolutisht mitrëkuptim. Për këtë të siguroj.

[Pyetje nga rrjetet sociale] Pse nuk i mbyll fabrikat?

Këto që kërkoni me të drejtë nga vijnë, apo nga ndihma 50 milionë euro i Europës. Kam parë këtu edhe që thonë ku i çove lekët që solli Europa. Në fakt, Europa i sjell me valixhe këtu dhe i ndajmë ne këtu. Ai është një fond për Shqipërinë për të mbështetur sistemin tonë shëndetësor, sepse Europa nuk jep kurrë fonde për të bërë nga këto gjëra që thotë këta që synojnë këtë fond, që janë ëndrra në beze dhe ai fond do të disbursohet me pjesë deri në marsin e vitit të ardhëëm, nuk ka ardhur akoma pjesae parë. Është e rëndësishme të kuptoni që çfarë kanë mundësitë e kësaj toke nuk do të mbetet pa u bërë. Mos e harroni tërmetin dhe ato 1.1 miliardët që mblodhëm. Ishte një kohë shumë e vështirë, por kishte një rrugë më të lehtë, krahasuar me këtë rrugën parrugë ku jemi të gjithë sot si gjithë bota. Po ju them se botën pëmbys do ta kthej dhe gjithçka që mund të bëhet, do ta bëj, por mos kërkoni gjëra që janë pa kuptim në luftë. Luftrat nuk vijnë për të na sjellë më shumë, luftrat vijnë për të na marrë sa më shumë. Në luftë nuk mendohet se kur do martohesh, por si do mbijetosh sot. Nesër vazhdojmë. Mos harroni, 28 mijë njerësit, si shumë nga ju që ankoheni këtu, janë vrarë në këtë vend në një luftë tjetër, në Luftën e Dytë Botërore dhe ata ishin bij nënash. Askush nuk vdiq në atë luftë për bukë. Me bukë, kripë e zemër, ata që i mbijetuan asaj dolën më të fortë nga ajo luftë, pavarësisht si shkuan gjërat. Nuk po ju kërkon njeri juve që ankoheni të merrni pushkën e të vrisni virusin, por vetëm kaq, thirrini mendjes dhe popullin respektojeni, mos i thoni as dele, as mos flisni në emër të poullit, jeni individë. Askush nga ne nuk është popull, jemi individë.

Forca dhe kurajo se jeta e të gjithëve është e çmuar dhe duhet ta mbrojmë sëbashku! Ju shani sa të doni, por unë nuk do t’ju lë të vdisni nga budallallëku!