Për legjitimitetin e Gjykatë Kushtetuese

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:

Edhe njëherë tjetër, Parlamenti është i detyruar të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për shkak të një historie tashmë të zakonshme me Ilir Metën.

Edhe njëherë tjetër, përplasja është jo mes nesh dhe Ilir Metës, por mes Ilir Metës dhe drejtësisë.

Edhe njëherë tjetër, për këdo që do të kuptojë pa hyrë në të thella, jemi përballë si Kuvend i Shqipërisë me njeriun që e ka humbur busullën dhe e ka kthyer institucionin e Presidentit të Republikës në një frëngji prej ku sulmon nga të katër anët, duke qenë ne këtu, 100% , – jo 99%, por 100% – në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Natyrisht është e lehtë të kuptohet pse, si çdo herë tjetër, Ilir Meta nuk kursen as partnerët strategjikë dhe as dy aleatët e mëdhenj, të palëkundur dhe të pandryshueshëm, të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, duke na vënë të gjithëve në një pozitë jokomode, për të thënë më të paktën dhe të turpshme, për ta thënë me të gjitha fjalët deri në fund, sepse insinuon haptas se këto përfaqësi të nderuara të shteteve, që janë qysh në ditën e parë të procesit të Reformës në Drejtësi promotorë dhe mbështetëse të kësaj reforme, akuzohen si të korruptuara. Nuk ka më turp dhe pas kësaj besoj se nuk ka as nevojë të zgjatemi dhe të stërzgjatemi, për të shpjeguar arsyet që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona.

Prandaj këtë herë, unë nuk do të merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë që është ende në ardhje dhe që ende kërkon shumë vullnet, shumë durim dhe shumë mbështetje nga ana jonë. Por për të gjithë ata që e ndjekin këtë episod të ri të historisë së vjetër të përplasjes së Ilir Metës me drejtësinë, dua të them se përpara sesa ne të vendosnin dhe të bënim atë që Kuvendi bëri, duke zgjedhur dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese dhe duke marrë të mirëqenë zgjedhjen e një anëtareje tjetër si rezultat i mospërmbushjes së detyrës për të zgjedhur në afatin e përcaktuar nga Presidenti i Republikës, ne jemi dakordësuar 100% me aleatët strategjikë dhe i jemi referuar 100% opinioneve të dhëna nga ekspertët e tyre, të cilët janë pjesë integrale e të gjithë procesit të reformës në drejtësi, ekspertët e EURALIUS-it dhe ekspertët e OPDAT-it.

Për të gjithë njerëzit që duan të dinë të vërtetën e kësaj që po ndodh, kam një pyetje retorike; A është e mundur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, si dhe ekspertiza e tyre t’i jenë vënë në dispozicion ndonjë projekti tjetër, përveç projektit të shpallur e legjitim të transformimit rrënjësor të drejtësisë shqiptare dhe të pavarësimit përfundimtar të saj nga duart e politikës?

Besoj se për çdo mendje të arsyeshme, përgjigja është e thjeshtë: Kjo nuk është  e mundur!

Sot, ne jemi në pozitë të vështirë dhe unë ndjehem në pozitë të vështirë dhe jo në raport me episodin. Episodi është thjeshtë një tjetër shprehje kuptimplotë e gjithë vështirësisë që ka kjo reformë, qysh se ka nisur. Unë ndjehem në pozitë të vështirë në raport me njerëzit dhe pritshmëritë e tyre legjitime nga drejtësia që, siç e dinë të gjithë, është ende në ardhje, por ende nuk është e prekshme, sepse nuk është aty për ta.

Jo vetëm kaq, por sot, ajo që duhet të ishte drejtësi është rëndom padrejtësi, si rezultat i një numri të konsiderueshëm gjykatësish e prokurorësh, që i përkasin organizatës kriminale “kap ça të kapësh” – KÇK.

Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën. Beteja jonë sot është me KÇK-në.

Ndërkohë procesi për të cilin jemi mbledhur, për të miratuar këtë rezolutë, është shumë herë më i thjeshtë dhe krejtësisht i qartë. Ne bëjmë detyrën tonë sot, karshi këtij institucioni dhe karshi opinionit publik shqiptar, por nuk ka asnjë dyshim se në fakt, kjo është detyrë shumë e lehtë në raport me detyrën për të vepruar një orë e më parë kundër KÇK, duke nxjerrë në pah të gjithë përmasën e llumit që është kthyer në një shtupë që e pengon sot, më shumë se asnjëherë tjetër, rrjedhjen e lirë të ujërave drejt konsolidimit të sistemit të drejtësisë.

Edhe ky është një tjetër motiv për ne, që të shpejtojmë dhe që përshkallëzimin e luftës ndaj KÇK-së të mos e lëmë thjeshtë e vetëm në radhën e pritjes së vetting-ut, por ta nisim dhe ta shoqërojmë njëkohësisht me një përshkallëzim të luftës kundër krimit të organizuar. Ata që kanë marrë dënime për krim të organizuar, apo për krime të rënda të lidhura me veprimtari kriminale më shumë sesa një vrasje; ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve dhe atyre gjykatësve, që e kthyen drejtësinë në një pazar ku kriminelët ishin të parët që jepnin ofertën dhe zakonisht kanë pasur ofertën më të mirë; ata që janë të hetuar për krim të organizuar jashtë vendit duhet të kthehen një orë e më parë në shënjestrën tonë.

Nuk mundet më që ata, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, KÇK-ja t’i gëzojnë pasuritë e tyre. E pikërisht ofensiva ndaj pasurive të tyre do të jetë thelbi i një procesi pa kthim, që do të duhet dhe do të nisë një orë më parë.

Kam qenë këtu, në këtë foltore, kur kam folur për rastin skandaloz të Durrësit dhe kur jam zotuar se do t’i sjell Kuvendit, shumë shpejt, një platformë ligjore për t’u miratuar e për t’u kthyer në platformë lufte ndaj krimit të organizuar dhe KÇK-së. Tanimë nuk është çështje muajsh, vetëm çështje e disa ditëve.

Në 25 nëntor, unë do t’i prezantoj publikut shqiptar këtë platformë.

Kjo platformë do të jetë sfida e vërtetë edhe e këtij Kuvendi, që do të ndajë edhe në këtë sallë, ata që janë gati për ta shpallur këtë luftë me ata që s’janë gati. Do të ndajë njëherë e mirë një histori të vjetër, ku është përzier rëndom i njomi me të thatin dhe ku krimi i organizuar është kthyer nga një problem i përbashkët, në një motiv lufte politike; nga një armik i përbashkët, në një aleat politik i atyre që e kanë përdorur vijimësisht produktin e krimit, për ta hedhur si mish të ngordhur në oborrin tonë.

Kjo është koha, kur i gjithë ky proces dhe i gjithë ky zinxhir krizash, të sajuara artificialisht nga Ilir Meta dhe nga të gjithë ata që i përkasin frontit të mirënjohur qysh në ditën e parë kundër Reformës në Drejtësi, të marrë drejtimin e duhur dhe përgjigjen e duhur deri në fund nga ne.

Kjo është koha kur përgjigja jonë duhet të jetë pa asnjë ekuivok dhe duhet të tundë themelet mbi të cilat, sot e gjithë ditën qëndron ngrehina e krimit të organizuar në Shqipëri. Duke tundur themelet e çdo pasurie të krimit dhe po ashtu, duke tundur themelet nën këmbët  e kujtdo që brenda Sistemit të Drejtësisë, prokuror apo gjykatës është bashkuar me krimin.

Përsa i përket çështjes për të cilën jemi mbledhur, ajo që unë di është se asnjë Kushtetutë, në asnjë vend demokratik nuk mund të parashikojë se një vendi mund t’i bjerë taksirati të ketë një President si Ilir Meta. E për këtë arsye, ky Kuvend duhet të marrë masa ligjore kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant dhe brutal bllokimi të atij që zyrën e Presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar Parlamentin, për të shantazhuar ndërkombëtarët, për të shantazhuar popullin shqiptar.

Besoj se komisioni ad-hoc, i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës, duhet ta konsiderojë shumë seriozisht edhe paketën e rekomandimeve për Kuvendin, ashtu sikundër në dritën e kësaj ngjarjeje të re, Komisioni i Ligjeve dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në Kuvend, më shpejt se vonë dhe për të votuar këtu neutralizimin e akteve të Presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore.

Është shumë e thjeshtë, merreni me mend, kemi bërë një Reformë Drejtësie për të hequr interesat e politikës dhe pazaret e politikës nga procesi i emërimeve. Kemi ngritur një institucion të posaçëm të pavarur, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, i cili është institucioni i vetëm që ka detyrimin, përveçse të drejtën të udhëheqë procesin dhe t’i vendosë përpara Presidentit dhe Kuvendit, listat  e kandidaturave sipas mekanizmave të mirëpërcaktuar  dhe sipas radhës për të zgjedhur.

Nuk ka interpretime të mundshme në këtë proces, nuk ka zyra ligjore, as në Presidencë, as në Kuvend, as në Kryeministri që mund të bëjnë interpretime dhe mund të thonë se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka gabim.  Është njësoj si të mblidhet Kuvendi dhe të bëjë një interpretim se Gjykata Kushtetuese e ka gabim, apo të mblidhet qeveria dhe të bëjë një interpretim se një gjykatë ka vendosur gabim.

Natyrisht, gjithkush ka të drejtë të bëjë interpretime politike dhe të bëjë interpretime mediatike, por nuk ka askush të drejtë që interpretimet t’i kthejë në instrument për të kundërsulmuar dhe jo vetëm kundërsulmuar, por edhe për të mos iu bindur institucioneve të pavarura të drejtësisë. Është shumë e thjeshtë. Të gjitha diskutimet e tjera janë “dokrra hini”, kur thoshte At Gjergj Fishta.

Kush jemi ne, kush është ky President – se kush janë këta të tjerët që bëjnë komente nëpër studio e nëpër portale as ia vlen fare ta ngresh pyetjen, – që mund të interpretojmë dhe mund të vendosim ndryshe nga çfarë kanë vendosur institucionet e drejtësisë dhe në rastin konkret, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Kështu që nuk ia vlen të humbasim më shumë kohë për të analizuar, për të argumentuar, për të komentuar marrëzitë e Ilir Metës. Na ka rënë ky taksirat neve, i ka rënë ky taksirat shqiptarëve dhe do bashkëjetojmë me këtë taksirat, për aq kohë sa zyra e Presidentit të Republikës do të jetë “tokë e xanun” nga dikush që ka humbur busullën.

Ne jemi detyruar të ndjekim vijën e drejtë që kemi përcaktuar sëbashku me aleatët tanë strategjikë dhe për sa kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian zyrtarisht, publikisht, kanë mbështetur çdo lëvizje që ne kemi bërë, kushdo që do të kuptojë, kupton që në këtë proces, ne as jemi vetëm dhe as marrim përsipër të vetëm të bëjmë reagimet tona. Reagimet tona janë të gjitha të koordinuara, pasi kemi dëgjuar dhe dëgjojmë me shumë vëmendje, ata me të cilët e kemi bërë Reformën në Drejtësi dhe me ata, të cilët do ta zbatojmë Reformën në Drejtësi.

Kjo është dhe arsyeja se edhe për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së, ne jemi në një proces intensiv diskutimi dhe koordinimi me ta, pasi do të jetë një luftë që nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri dhe do të jetë një luftë ku kemi nevojë, pa diskutim, për mbështetjen e tyre. Jo thjeshtë mbështetje juridike, por mbështetje e gjithanshme.

Në këto kushte të votojmë rezolutën dhe të vazhdojmë pa humbur fokusin nga detyrat dhe detyrimet tona. Ne nuk kemi luftë me Ilir Metën, Ilir Meta ka luftë me botën, me Europën, me Shqipërinë, me qeverinë e me veten. Le të vazhdojë ta bëjë atë luftë. Ne kemi detyrën që të shmangim të gjitha efektet negative që aktet e asaj lufte kanë mbi proceset tona, mbi proceset zgjedhore, mbi proceset e reformimit të institucioneve të drejtësisë dhe mbi çdo proces tjetër, ku ky njeri ka marrë përsipër të jetë interpretuesi i vetëm dhe fuqiplotë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Njësoj si ata talebanët që e quajnë veten interpretuesit e vetëm dhe fuqiplotë të Librit të Shenjtë.

Faleminderit!