Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Nëntor 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Nëntor 2019:

 

V E N D I M
PËR

EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË KOMBËTARE TË MBROJTJES CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 24, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Haki Çako emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.246, DATË 24.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË NGA JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2019”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.246, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në ndarjen I “Niveli i mesëm drejtues dhe të barasvlershëm”, të lidhjes nr.1, që përmendet në pikën 3, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Emërtesa e përmendur në pikën 6 zëvendësohet me emërtesën “Drejtor i Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim – kategoria II-b”;
b) Emërtesa e përmendur në pikën 7 zëvendësohet me emërtesën “Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Agjencinë Kombëtare të Diasporës – kategoria II-b”;
c) Emërtesa e përmendur në pikën 14 zëvendësohet me emërtesën “Drejtor i Drejtorisë së Strategjisë dhe Monitorimit të Borxhit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë – kategoria II-b”.

2. Në ndarjen II “Niveli i ulët drejtues dhe të barasvlershëm”, të lidhjes nr.1, që përmendet në pikën 3, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Emërtesat e përmendura në pikat 1, 2, 4, 9, 12, 13 dhe 18 zëvendësohen me emërtesat, si më poshtë vijon:

“1. Kapiten i Kapitenerisë së Portit Sarandë, në Kapiteneritë e Porteve dhe Kontrollin Shtetëror Portual, në Drejtorinë e Përgjithshme Detare – kategoria III- a/1;
2. Përgjegjës i sektorit të auditimit të brendshëm, në Drejtorinë Juridike dhe të Shërbimeve të Mbështetëse, në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural – kategoria III-a/1;
4. Shef i sektorit të serverave dhe aplikacioneve për servera, në Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit – kategoria III-a/1;
9. Drejtor Rajonal në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Shkodër – kategoria III-a;
12. Drejtor Rajonal në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Lezhë – kategoria III-a;
13. Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave – kategoria III-a;
18. Përgjegjës i sektorit të përzgjedhjes dhe aprovimit të projekteve IPARD për masën 1, në Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural – kategoria III-a/1;”.

­­­­­Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.661, DATË 8.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 310, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “SKELË – UJI I FTOHTË, BASHKIA VLORË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në tabelën me emërtimin “Lista e pasurive të paluajtshme, pronë private, që do të shpronësohen për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Skelë – Ujë i Ftohtë, Bashkia Vlorë (Zona I, Skelë – Shkolla e Marinës)”, që i bashkëlidhet vendimit nr.661, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të dhënat për numrin rendor 56 bëhen sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Vlera shtesë, prej 5 403 681 (pesë milionë e katërqind e tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) lekësh, e kësaj pasurie, i shtohet vlerës së përgjithshme të vendimit nr.661 dhe do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Planifikimi urban”.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.686, DATË 23.10.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRYERJEN E PRAKTIKËS PROFESIONALE PËR PROFESIONIN E RREGULLUAR TË MËSUESIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1, të vendimit nr.686, datë 23.10.2019, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… 1 500 (një mijë e pesëqind) praktikantë …” zëvendësohen me “… 2 300 (dy mijë e treqind) praktikantë …”.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.752, DATË 5.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “BULEVARDI VERIOR DHE REHABILITIMI I LUMIT TË TIRANËS”, FAZA I, NË BASHKINË E TIRANËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.752, datë 5.9.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Pronarët dhe poseduesit e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelat bashkëlidhur dhe janë pjesë përbërëse të këtij vendimi, për sipërfaqen 39 646.8 (tridhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e dyzet e gjashtë pikë tetë) m2, truall, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 938 126 675 (nëntëqind e tridhjetë e tetë milionë e njëqind e njëzet e gjashtë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekësh, dhe për 206 objekte me vlerë 827 942 327 (tetëqind e njëzet e shtatë milionë e nëntëqind e dyzet e dy mijë e treqind e njëzet e shtatë) lekësh.”.
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Vlera e plotë e shpronësimit, prej 1 766 069 002 (një miliard e shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e dy) lekësh, do të përballohet në masën 550 000 000 (pesëqind e pesëdhjetë milionë) lekë nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë, dhe pjesa e mbetur nga fondet e buxhetit të Bashkisë Tiranë.”.

c) Pas pikës 3 shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:

“3.1. Vlera e shpenzimeve procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.

ç) Në tabelat bashkëlidhur vendimit bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

i. Të dhënat e nënndarjeve me nr. rendor 14, 61, 68, 69, 12, 45, 25, 7, 46, 56 dhe 34 ndryshohen sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
ii. Shtohen nënndarjet me të dhënat sipas tabelës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.294, DATË 8.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E KËSHILLIT TË INVESTIMEVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillim, për bashkëpunimin në mbështetje të klimës së investimeve dhe qeverisjes së mirë, nënshkruar më 24 shkurt 2014, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.294, datë 8.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Nënndarja “i”, e shkronjës “a”, të pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“i. institucione shtetërore, 4 anëtarë:

– ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
– Banka e Shqipërisë;
– Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve;
– Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.”.

2. Nënndarja “iii”, e shkronjës “a”, të pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“iii. Dhoma të Tregtisë dhe Industrisë, 3 anëtarë:

– Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë;
– Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë;
– Dhoma e Biznesit të Diasporës.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHKATËRRIMIT TË PRODUKTEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 30, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITSHME

1. Ky vendim ka për objekt përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të shkatërrimit të produkteve, me qëllim identifikimin e kushteve të nevojshme për ruajtjen, trajtimin, transportimin dhe shkatërrimin e tyre në mënyrë të tillë që mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të njeriut e të mjedisit të jenë të garantuara.

2. Ky vendim zbatohet për të gjitha produktet joushqimore për konsumatorët, të vendosura në treg dhe në shërbim/përdorim, të cilat i përkasin fushës së veprimtarisë së Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, sipas legjislacionit për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore dhe legjislacionit për tregtimin e mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore.

3. Ky vendim nuk zbatohet për substancat kimike, që janë objekt i regjistrimit dhe/ose autorizimit paraprak, dhe produktet kozmetike.
4. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Komision i Menaxhimit të Riskut”, komisioni ad hoc, që krijohet nga titullari i strukturës përgjegjëse sipas rregullave të parashikuara në urdhrin nr.305, datë 30.5.2014, të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, “Për procedurat standarde operacionale të veprimtarisë së mbikëqyrjes së tregut, të detyrueshme për të gjitha strukturat e mbikëqyrjes së tregut”;
b) “Konsumator”, çdo person, i cili blen ose përdor mallra apo shërbime për plotësimin e nevojave vetjake, për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare, biznesin, zanatin ose ushtrimin e profesionit;
c) “Mbetje”, sipas përcaktimit në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar;
ç) “Mbetje bio”, sipas kuptimit të dhënë në vendimin nr.608, datë 17.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për masat e nevojshme për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve bio si dhe kriteret e afatet për pakësimin e tyre”;
d) “Struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut në fushën produkteve joushqimore”, (më poshtë struktura përgjegjëse), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;
dh) “Shkatërrim”, çdo operacion që nuk është rikuperim, edhe kur operacioni ka si pasojë dytësore rikuperimin e substancave ose të energjisë.

II. KËRKESA TË PËRGJITHSHME

5. Procesi i shkatërrimit të produkteve menaxhohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, duke mos vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut e duke mos përdorur procese ose metoda që mund ta dëmtojnë atë apo mjedisin dhe, sidomos,:

a) duke mos vënë në rrezik ujërat, ajrin, tokën, tokën bujqësore, bimët ose kafshët;
b) duke mos ndikuar negativisht mbi fshatin ose vendet me interes të veçantë;
c) duke mos shkaktuar shqetësime nëpërmjet zhurmave ose erërave, në përputhje me përcaktimet e akteve të tjera ligjore apo nënligjore.

6. Në përputhje me detyrimet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për tregtimin dhe mbikëqyrjen e produkteve joushqimore, struktura përgjegjëse vendos për shkatërrimin e produktit që paraqet rrezik serioz, kur është e nevojshme.

7. Struktura përgjegjëse konsultohet, paraprakisht, me operatorët ekonomikë, strukturat këshilluese, që operojnë në nivel mbikëqyrës, dhe me Komisionin e Menaxhimit të Riskut, i cili funksionon pranë saj, lidhur me procesin e shkatërrimit, me qëllim që të sigurojë se produktet përmbushin kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe këtë rregullore.

8. Operatori ekonomik përgjegjës mbulon shpenzimet për shkatërrimin e produktit në përputhje me legjislacionin në fuqi për tregtimin e produkteve joushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit.

9. Operatori ekonomik përgjegjës nuk çlirohet nga përgjegjësia për operacionet e shkatërrimit të produkteve edhe në rastin kur kjo procedurë kryhet nga struktura përgjegjëse ose operatorë të licencuar për shkatërrimin e tyre.

10. Miratimi i një procedure shkatërrimi produkti nga struktura përgjegjëse udhëhiqet nga parimet e përgjithshme të parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore, veçanërisht, bazuar në parimin:

a) për menaxhimin e produkteve sipas hierarkisë së përparësive;
b) e afërsisë̈ dhe vetëtrajtimit;
c) ndotësi paguan;
ç) e përgjegjësisë̈ së prodhuesit dhe zotëruesit;
d) e sigurimit financiar.

11. Në çdo rast, procedura për shkatërrimin e produktit bëhet efektive/ekzekutohet kur vendimi i strukturës përgjegjëse nuk është ankimuar në rrugë gjyqësore ose është lënë në fuqi me vendim gjyqësor të formës së prerë.

III. RUAJTJA, TRANSPORTIMI DHE METODAT E SHKATËRRRIMI TË PRODUKTEVE

12. Në produktet e destinuara për shkatërrim përfshihen ato:

a) që paraqesin një rrezik të tillë për sigurinë e konsumatorëve saqë duhen shkatërruar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
b) për të cilat operatori ekonomik deklaron se modifikimi apo kthimi i produktit është i pamundur.

13. Hapat që duhen të ndërmerren përpara shkatërrimit janë:

a) Vendimi i inspektorit të strukturës përgjegjëse për ndërmarrjen e një procedure shkatërrimi, i cili në çdo rast shoqërohet me rekomandimin e Komisionit të Menaxhimit të Riskut që krijohet si një komision ad hoc, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
b) Hartimi i planit të shkatërrimit nga ana e strukturës përgjegjëse, duke përshirë fondet, kostot, burimet njerëzore, ekspertizën, kohën profesionale, hapësirën, pajisjet, materialet, i cili miratohet nga titullari i strukturës përgjegjëse.

14. Produktet e destinuara për shkatërrim duhet të ruhen të ndara nga produktet e përdorshme në treg.

15. Struktura përgjegjëse regjistron produktet e përcaktuara sipas pikës 14 të këtij vendimi, në një regjistër të veçantë, duke treguar emrin e prodhuesit, datën e refuzimit/kthimit, arsyet e refuzimit si produkt.

16. Produktet duhet të paketohen dhe të shënohen qartë, dukshëm “Produkt për shkatërrim”.

17. Klasifikimi i mbetjeve të specifikohet sipas kodit të përcaktuar në vendimin nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut shqiptar të klasifikimit të mbetjeve”, i ndryshuar, dhe mbetjet me përmbajtje bimore dhe organike të etiketohen, sipas vendimit nr.608, datë 17.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për masat e nevojshme për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve bio si dhe kriteret dhe afatet për pakësimin e tyre”.

18. Produktet e destinuara për shkatërrim, të vendosura në paketime duhet të ruhen në magazina të dedikuara dhe nuk duhet të qëndrojnë më shumë sesa afati i përcaktuar në planin e shkatërrimit, i cili llogaritet që nga data që vendimi për shkatërrim ka marrë formë të prerë.

19. Vendi i ruajtjes duhet të mbahet i siguruar dhe duhet të jetë i mirëmbajtur, i pastruar dhe i dezinfektuar.

20. Gjatë transportit të produkteve për shkatërrim duhet që paketimet të jenë të mbyllura dhe të etiketohen në mënyrë të qartë e të dukshme me tekstin “Produkt për shkatërrim”.
Për transportimin e produkteve të klasifikuara si mbetje jo të rrezikshme, gjeneruesi i mbetjeve duhet të plotësojë kërkesat e vendimit nr.229, datë 23.4.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për transferimin e mbetjeve jo të rrezikshme dhe të dokumentit të transferimit të mbetjeve jo të rrezikshme”, dhe për transportimin e produkteve të klasifikuara si mbetje të rrezikshme, gjeneruesi i mbetjeve duhet të plotësojë kërkesat e vendimit nr.371, datë 11.6.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për dorëzimin e mbetjeve të rrezikshme dhe miratimin e dokumentit të dorëzimit të mbetjeve të rrezikshme”.

21. Para transportimit duhet të sigurohet që paketimi nuk është dëmtuar.

22. Automjeti që bën transportimin duhet t’i përshtatet llojit të produktit dhe të jetë i mirëmbajtur, i pastruar dhe i dezinfektuar. Në rast të transportit të produkteve të klasifikuara si mbetje të rrezikshme, plotësohen edhe kërkesat e nenit 23, të ligjit nr.10463/2011, i ndryshuar.

23. Procesi i transportimit të produkteve për shkatërrim duhet të mbikëqyret nga një inspektor i strukturës përgjegjëse për tregun, një inspektor mjedisi dhe policia vendore, nga operatori ekonomik deri te vendi i shkatërrimit.

24. Produktet e destinuara për shkatërrim trajtohen në përputhje me legjislacionin për mjedisin dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve në fuqi. Shkatërrimi i produkteve bëhet nga personat fizikë ose juridikë, të pajisur me leje mjedisore të tipit III.1 dhe licencë III.2.B, në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet dhe licencat, në një nga mënyrat e mëposhtme:

a) Nëpërmjet lendfillit, i cili plotëson kërkesat e vendimit nr.452, datë 11.7.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për lendfillet e mbetjeve”, i ndryshuar, sipas kategorisë së lendfillit (i rrezikshëm, jo i rrezikshëm dhe inerte).
b) Nëpërmjet impiantit të incinerimit, i cili plotëson kërkesat e vendimit nr.178, datë 6.3.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për incinerimin e mbetjeve”.
c) Trajtimi i mbetjeve bio bëhet nëpërmjet trajtimit aerobik, në prani të oksigjenit, ose anaerobik, në mungesë të oksigjenit.

IV. PROCEDURA PËR APLIKIM DHE SHKATËRRIMI I PRODUKTEVE

25. Shkatërrimi i produkteve kryhet nga struktura përgjegjëse nëpërmjet një personi, fizik ose juridik, i licencuar, që kryen operacione trajtimi të mbetjeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi në fushën e mjedisit dhe lejet mjedisore.

26. Për shkatërrimin e produkteve, nga çdo person që përmbush kushtet sipas pikës 25, të këtij vendimi, që merr përsipër mbi bazën e njoftimit të strukturës përgjegjëse, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik, ndiqet kjo procedurë:

a) Personi paraqet kërkesë me shkrim/shprehje interesi pranë strukturës përgjegjëse;
b) Kërkesa shoqërohet edhe me listën e konfirmuar të produkteve që do të shkatërrohen dhe elemente të tjera identifikuese të produktit;
c) Me marrjen e kërkesës, struktura përgjegjëse, bazuar në kostot e përcaktuara në planin e shkatërrimit, i njofton kërkuesit datën, pagesën përkatëse të procesit si dhe elementet e tjera të specifikuara në këtë plan, të përshtatura sipas specifikave të llojit të produktit që do të shkatërrohet;
ç) Personi njofton datën e shkatërrimit tek operatori ekonomik, struktura përgjegjëse për tregun, struktura mbikëqyrëse për mjedisin, bashkia dhe policia vendore;
d) Kur data për shkatërrim konfirmohet nga të gjitha institucionet e listuara në shkronjën “ç”, struktura përgjegjëse për tregun dhe ajo për mjedisin, përfaqësuesi i operatorit, bashkisë dhe policisë mbikëqyrin procesin e shkatërrimit (Grupi i punës);
dh) Përpara shkatërrimit të produktit, grupi i punës verifikon gjithë informacionin e kërkuar për produktet për identifikimin e llojit të tyre dhe metodën e shkatërrimit që duhet përdorur sipas kërkesave ligjore në fuqi.

27. Struktura përgjegjëse, për ndjekjen e detyrimeve të përcaktuara në këtë vendim kërkon nga të gjitha institucionet e listuara në shkronjën “ç”, të pikës 26, të këtij vendimi, caktimin e personit përgjegjës nga titullarët e institucioneve, të cilët do të përbëjnë grupin e punës.

28. Struktura përgjegjëse bën klasifikimin dhe verifikimin e produkteve në ambiente të hapura ose të ajrosura. Verifikimi duhet të përmbajë këto elemente:

a) Identifikimin e produkteve;
b) Ndarjen dhe klasifikimin e produkteve sipas metodës së shkatërrimit;
c) Pajisjen e stafit, i cili do të merret me ndarjen dhe klasifikimin e produktit, me mjetet mbrojtëse për shëndetin, si doreza, çizme, maska etj;
ç) Paketimin e produkteve për shkatërrim me etiketat dhe shënimin përkatës për metodën e shkatërrimit;
d) Ruajtjen e materialeve sipas kritereve të përcaktuara në këtë rregullore;
dh) Marrjen përsipër të kostos së shkatërrimit/ pagesën nga operatori ekonomik.

29. Pas verifikimit të gjithë anëtarët e grupit të punës duhet të nënshkruajnë një format verifikimi/procesverbal.

30. Procesi i shkatërrimit mbikëqyret nga një inspektor i strukturës përgjegjëse, një inspektor mjedisi dhe policia vendore, si dhe nga operatori te vendi i shkatërrimit.

31. Pas konstatimit të përfundimit të shkatërrimit, një procesverbal duhet të nënshkruhet nga mbikëqyrësit dhe përfaqësuesi i operatorit.

32. Kopje të procesverbalit i dërgohen operatorit, strukturës mbikëqyrëse dhe bashkisë së qytetit.

33. Çdo ankesë për vendimet e marra në të gjitha fazat e procesit, përpara shkatërrimit do të trajtohet sipas procedurës së parashikuar nga legjislacioni në fuqi për produktet joushqimore dhe inspektimin.

34. Çdo ankesë për vendimet/urdhërimet/ndalimet e marra gjatë mbikëqyrjes së ekzekutimit të procesit të shkatërrimit do të trajtohet sipas procedurës së parashikuar nga legjislacioni në fuqi për mjedisin dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve.

35. Ngarkohet struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.